Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla pas takimit me homologun e saj suedez, Tobias Billstrom, ka thënë se kanë zhvilluar një bisedë të gjatë dhe miqësore.
“Unë Ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë i cili ka ardhur edhe në funksionin e tij si përfaqësues i presidencës së BE-së, presidencës suedeze të Këshillit Evropian, e mirëprita sot në Aeroportin e Prishtinës. Patëm një bisedë të gjatë dhe miqësore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Është një ditë shumë e rëndësishme për ne të kemi këtu presidencës suedeze pikërisht sot, kur dje jemi kthyer nga Strasburgu ku është finalizuar përmes nënshkrimit të Parlamentit Evropian, të Këshillit dhe të raportuesit liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, u shpreh ajo.
Ajo tha se bashkë me ministrin Billstrom kanë diskutuar rreth zhvillimit të Kosovës.
“Biseduam me ministrin Billstrom natyrisht edhe rreth zhvillimit të Kosovës, biseduam për faktin që në Suedi kemi një mërgatë shumë aktive të integruar mirë e cila jo vetëm që është pjesë integrale e shoqërisë e vendit tonë, por kontribuon në mënyrë shumë intensive edhe në shtetin ku ndodhet, pra në Suedi, në të gjitha fushat, si në ekonomi, si në arsim, ashtu edhe në fushat e kulturës së sportit dhe të gjitha fushat e tjera”, tha ajo.
Gërvalla u shpreh se mërgata jonë në Suedi, është siç u shpreh ajo, ura më e mirë që lidh Suedinë dhe Kosovën.
“Ne mendojmë që mërgata jonë në Suedi është ura jonë më e mirë që lidh Suedinë dhe Kosovën. Suedia ka qëndruar vazhdimisht në krahë të Kosovës, si para fillimit të luftës, ashtu edhe gjatë luftës, por sidomos pas përfundimit të luftës në rindërtimin e Kosovës dhe në njohjen e pavarësisë dhe në ndihmë të shtetit të Republikës së Kosovës, Suedia ka qenë gjithmonë prezente”, u shpreh tutje ajo.
Sipas saj, Suedia ka një plan afatgjatë rreth bashkëpunim me Kosovën.
“Diskutuam edhe bashkëpunimin që do të kemi në të ardhmen, pra jo vetëm atë të së kaluarës, sepse Suedia ka një plan afatgjatë rreth bashkëpunim me Kosovën dhe ky plan parasheh mundësi të shumta se si dy vendet tona do të mund ta nxisin dhe intesifikojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat”, tha ajo.
Gërvalla tha se në takim me Billstrom folën për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Biseduam edhe rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillim e Evropës, siç e dini Kosova ka aplikuar në Këshillin e Evropës gati një vit më parë. Janë kryer disa prej procedurave të rëndësishme të parapara me statutin dhe me rregullat e Këshillit të Evropës dhe ndërkohë kërkesa jonë pritet që në një kohë jo të largët të kalojë më në fund nga Këshilli i Ministrave, në Asamblenë Parlamentare, e cila është institucioni i cili do të duhej të verifikonte plotësimin e standardeve dhe të kushteve nga ana e Kosovës”.
“Ne jemi shumë optimist për një proces fer ndaj Kosovës dhe shpresojmë dhe presim që së shpejti të kemi lëvizje edhe në këtë drejtim. Ne jemi të gatshëm për të plotësuar të gjitha kushtet dhe kërkojmë vetëm një anëtarësim meritor”, u shpreh tutje ajo.


