Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, njoftoi se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po kontribuon me kapacitetet e saj në Operacionin Interflex në Mbretërinë e Bashkuar, duke mbështetur trajnimin e ushtarakëve ukrainas dhe stërvitjen e përbashkët me partnerët për të përballuar agresionin rus në Ukrainë.
Sipas postimit të ministrit, FSK po merr pjesë me kontingjentin e katërt që nga fillimi i përfshirjes së saj në këtë operacion. Kontingjenti i fundit është bashkuar me Kompaninë “Echo”, e udhëhequr nga një njësit nga Zelanda e Re, dhe përbëhet nga katër njësi nga shtete të ndryshme: Zelanda e Re, Kosova, Estonia dhe Lituania.
Maqedonci thekson se kontingjenti i FSK-së kryen detyra të rëndësishme planifikuese dhe logjistike, si dhe ekzekuton kurse pesëjavore për forcat ukrainase. Gjatë periudhës së angazhimit, Kompania Echo ka përfunduar tre kurse trajnimi për ushtarakët ukrainas.
Qëllimi i misionit të FSK, sipas ministrit, është përgatitja e pjesëtarëve të Forcave Ukrainase për role udhëheqëse në nivel skuadre, duke përfshirë taktika dhe procedura të ndryshme: patrullat, operacionet sulmuese dhe mbrojtëse, Procedurat e Udhëheqjes së Trupave (PUT), lidershipin, komandë-kontrollin, përdorimin e dronëve të llojeve të ndryshme dhe qitjen taktike.
Ky angazhim, nënvizon Maqedonci, demonstron ndërveprimin dhe kontributin e FSK-së në stërvitjet ndërkombëtare dhe bashkëpunimin me partnerët për të përmirësuar kapacitetet e mbrojtjes në përballje me kërcënimet rajonale dhe globale.


