Ekspertja e linguistikës forenzike, Helen Fraser, dëshmoi në Dhomat e Specializuara të Kosovës se gjatë analizimit të audiove në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve ka përdorur Inteligjencën Artificiale për transkriptim, pasi nuk njeh gjuhën shqipe dhe mungonte një transkriptues profesional në këtë gjuhë. Ajo theksoi se IA mund të ndihmojë në krijimin e një pasqyre fillestare të materialit, por nuk mund ta zëvendësojë punën e një transkriptuesi njerëzor.
Ekspertja e linguistikës forenzike, Helen Fraser, ka deklaruar në Dhomat e Specializuara të Kosovës se gjatë analizimit të audiove në rastin ndaj Hashim Thaçi dhe të tjerëve ka përdorur transkriptues të Inteligjencës Artificiale, për shkak se nuk njeh gjuhën shqipe dhe mungonte një transkriptues profesional në këtë gjuhë.
Fraser, e cila dëshmoi si eksperte e mbrojtjes, tha se Inteligjenca Artificiale është përdorur për të krijuar një ide fillestare mbi informacionin e disponueshëm në audio, por theksoi se “Inteligjenca Artificiale nuk mund ta zëvendësojë transkriptuesin njerëzor”.
Në pyetjet e avokates së Thaçit, Sophie Menagon, ekspertja australiane sqaroi se për një analizë më të saktë do të nevojiteshin të paktën dy transkriptues që njohin gjuhën shqipe dhe kanë aftësi në deshifrimin e audiove të padëgjueshme
“Përgatitja e një transkripti të këtij materiali mbështetet shumë në informacionin nga lart-poshtë… ky është një skenar i njohur”, deklaroi Fraser, duke komentuar dallimet mes një transkriptimi privat dhe atij të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Fraser, tha se deri më tani ka dhënë ekspertizë në rreth 100 procese gjyqësore, kryesisht në Australi.
Në këtë rast, për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë po akuzohen Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 27 shkurt 2026.


