Në Bruksel u zhvillua Forumi i Zgjerimit të Bashkimit Evropian, i cili mblodhi udhëheqës evropianë, përfaqësues të vendeve kandidate, ekspertë politikash dhe aktorë të shoqërisë civile.
Gjatë gjithë debatit u diskutua për përparimet e shteteve, përfshirë ato të Ballkanit Perëndimor, por Kosova nuk u përmend asnjëherë.
Gazetari i Telegrafit e pyeti Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, për këtë mungesë dhe për faktin që Kosova është i vetmi vend në rajon pa status kandidati për Bashkimin Evropian.
Kos tha se ende ekzistojnë kushte që duhet të përmbushen, por kjo nuk ndalon bashkëpunimin me Kosovën.
Ajo theksoi se avancimi i procesit varet nga formimi i një qeverie të re dhe ratifikimi i një plani reformash në Parlament.
“Lajmi i mirë është se, që nga zgjedhjet lokale të fundit, gjërat kanë shkuar mirë dhe do të jemi në gjendje të heqim masat kundër Kosovës,” u shpreh Kos.
Ndërsa shtoi se vprimet e politikanëve vendorë janë vendimtare për ecurinë e procesit.
“Shpresoj, por ju lutem, politikanët tuaj duhet të ecin përpara. Na duhet një qeveri. Nuk kam askënd me të cilin të bisedoj. Kjo është e rëndësishme,” tha Komisionerja./Telegrafi/


