Ka filluar sot testimi fizik i grupit të parë të të rinjve të cilët kanë aplikuar në konkursin për pranimin e 612 pjesëtarëve aktiv në Forcën e Sigurisë së Kosovës, dhe 388 pjesëtarëve të komponentës rezervë.
Me rastin e fillimit të testimit, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj e ka vizituar Qendrën e Palestrës së Sporteve në kazermën “Adem Jashari”, për të parë nga afër procesin e testimit, ndërsa i ka uruar të gjithë kandidatët për suksese.
“Është vërtetë kënaqësi teksa sheh të rinj e të reja që me kaq vullnet mezi presin t’i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ministria e Mbrojtjes si institucion dhe FSK si organizatë, u garanton proces transparent, të monitoruar nga instruktorët e FSK-së, përfaqësuesit e Zyres Ndërlidhëse të NATO-s, organizatat joqeveritare, si dhe mediet, duke mundësuar kështu raportim në kohë reale, e përzgjedhjen e më të mirëve”, ka thënë Mehaj.
Ai shtoi se Forca e Sigurisë së Kosovës është Forcë që synon shërbimin në NATO, andaj dhe ushtarët janë të nivelit të tillë “Më të mirët për t’i shërbyer aleancës më të suksesshme!”.













