Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, u takua në Ankara me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Para bisedimeve të planifikuara sot në Stamboll mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës, Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, arriti sot në orën 12:00 në Turqi. Pas një deklarate të shkurtër për mediat në Aeroportin Esenboğa, Zelenski u nis drejt Kompleksit Presidencial.
Presidenti Recep Tayyip Erdoğan e priti Zelenskin në hyrje të Kompleksit Presidencial. Ata pozuan për fotografi para flamujve të Turqisë dhe Ukrainës në shkallët e kompleksit.
Në takimin e zhvilluar me dyer të mbyllura morën pjesë edhe Ministri i Mbrojtjes Kombëtare Yaşar Güler, kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar (MİT) İbrahim Kalın dhe këshilltari kryesor i Presidentit për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Akif Çağatay Kılıç.
Pas takimit mes Presidentit Erdoğan dhe Zelenskit, do të mbahet një darkë pune mes dy delegacioneve.
Në bisedën mes Erdoğanit dhe Zelenskit pritet të trajtohen në mënyrë të detajuar të gjitha aspektet e zhvillimeve të fundit në kontekstin e luftës Rusi-Ukrainë.
Gjatë vizitës, në takimet dypalëshe dhe ndërmjet delegacioneve, pritet që Presidenti Erdoğan të theksojë qasjen e Turqisë për fillimin e menjëhershëm të armëpushimit dhe bisedimeve për paqe.
Zelenski: Niveli i delegacionit rus është thuajse një mashtrim
Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, në deklaratën e dhënë në Aeroportin Esenboğa në Ankara, ku mbërriti për t’u takuar me Presidentin Recep Tayyip Erdoğan, foli për bisedimet Rusi-Ukrainë që do të zhvillohen në Stamboll.
Duke falënderuar Presidentin Erdoğan për organizimin e takimit për zhvillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta, Zelenski tha: “Së pari, dua të falënderoj Presidentin Erdoğan për organizimin e këtij takimi që do të mundësojë bisedime të drejtpërdrejta.”
Ai shtoi se sapo morën sinjale për mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë, pala ukrainase e aprovoi menjëherë këtë mundësi, prandaj dhe ndodhen sot në Ankara.
Zelenski tha: “Sa i përket pjesës së nivelit të lartë të bisedimeve, ne do të fillojmë me një takim me Presidentin Erdoğan”, dhe shtoi: “Jemi gjithashtu në kontakt me SHBA-në dhe besojmë se edhe ata do të jenë në nivel të lartë në Turqi.”
Ai theksoi se Ukraina ka ardhur me një delegacion të nivelit të lartë që përfshin ministrin e jashtëm, zyrtarë të presidencës, ushtarakë dhe agjentë të inteligjencës. “Niveli i delegacionit rus është thuajse një mashtrim. Pas takimit me Presidentin Erdoğan do të vendosim për hapat e mëtejshëm. Duhet të kuptojmë se çfarë mandati kanë përfaqësuesit rusë,” tha Zelenski.