Këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Muhedin Nushi, mori pjesë në hapjen e Konferencës ndërkombëtare të Kosovës për kërkimet arsimore – KICER, me temë “Zbatimi i suksesshëm i qasjeve inovative në klasë dhe menaxhimi institucional efektiv”, të organizuar nga Fakulteti i Edukimit.
Qëllimi i kësaj Konference është ngritja e kapaciteteve hulumtuese dhe avancimi i debatit për përmirësimin e cilësisë së ndryshimeve në klasë dhe në nivel institucional.
Në emër të Ministres Nagavci, këshilltari Nushi, falënderoi pjesëmarrësit në hapjen e kësaj Konference teksa bëri të ditur se, inovacioni në tërësi është term shumë i gjerë që nënkupton zbatimin praktik të ideve të reja, të cilat rezultojnë me përmirësimin e jetesës. Tutje tha se inovacioni në klasë është një proces shumë i rëndësishëm dhe njëkohësisht shumë i ndjeshëm dhe se risitë janë gjithnjë sfidë në vete.
Ndër të tjera, këshilltari Nushi ka thënë se, MAShTI i ka kushtuar vëmendje hulumtimit dhe inovacionit, me fokus tek teknologjia, ku bazohet në masën më të madhe avancimi i tërësishëm i shoqërisë dhe i demokracisë, si dhe në përmirësimin e cilësisë së arsimit në të gjitha nivelet, duke theksuar shkencën dhe teknologjinë si fusha të rëndësishme me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit.
Për rëndësinë e mbajtjes së kësaj Konference kanë folur edhe prorektorja e Universitetit të Prishtinës, Njomza Llullaku, si dhe Dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi.