Me 40 minuta vonesë sot ka nisur seanca e parë e sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka kërkuar falje për vonesën derisa e ka arsyetuar me pjesëmarrje në shënimin e Ditës së Demokracisë.
Në seancën, në fillim të saj sipas evidentimit janë të pranishëm 78 deputetë, të cilët edhe kanë nisur debatin për grevën e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Armend Muja ka thënë se Kosova nuk i ka shpëtuar inflacionit global.
Ai ka thënë se Qeveria ka ofruar një pako në shtator që i dedikohet 600 mijë përfituesve.
Muja ka thënë se është shqetësuese mbajtja e grevës, duke shtuar se është viti i katër që fëmijët nuk nisin mësimin më 1 shtator.
“Është evidente, fëmijët e Kosovës janë vënë pre e negociatave për 50 euro e 100 euro. Shkollimi i tyre është e drejtë kushtetuese”, ka thënë ai.

E deputeti dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se duhet të kesh një hall të madh të ushqesh këtë krizë të grevës.
Ai ka thënë se për LDK-në përgjegjës i vetëm është kryeministri.
Abdixhiku ka thënë se kryeministrit i takon të dialogojë, flasë e dëgjojë edhe me ata që s’pajtohet.
“Dy vitet e para i ke kaluar më 14 shkurt, e dy të tjera me frikën që po rrëzohesh. Në fakt njerëzit e vetëm që flasin për rrëzimin e Qeverisë janë te ti në kabinet”, ka thënë ai.
Kurse deputeti dhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Kosova po kalon nëpër një vit të vështirë që do të mbahet mend, i shkaktuar nga kriza të njëpasnjëshme.
Sipas tij, këto kriza po gjejnë terren të lirë për të lulëzuar për shkak të kësaj qeverie të paaftë.
Sipas tij, çmimet kanë ndjekur një trend të shpejtë të rritjes të ardhurat e qytetarëve kanë rënë.
“Ne kërkojmë nga qeveria ta pranoje faktin që në Kosovë ka krizë ekonomike dhe të shfrytëzojë instrumentet në dispozicion për t’i ndihmuar qytetarët ta përballojnë krizën. Kërkojmë t’i marrë 5 masa: Të lirohen nga TVSH-ja të gjitha produktet esenciale, të lirohen nga akciza produktet e naftës, të lirohet energjia elektrike nga TVSH-ja dhe të subvencionohen 25 për qind faturat e energjisë, të rriten pagat për aq sa është norma e inflacionit dhe të lejohet tërheqja deri në 30 për qind e mjeteve nga Trusti”, ka thënë ai.



