Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur procesin e aplikimit për certifikimin e subjekteve politike për Zgjedhjet Lokale 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Telegrafin se subjektet politike mund të aplikojnë deri më 13 gusht.
“Duke filluar nga dita e sotme, 26 qershor dhe deri më 13 gusht 2025, subjektet politike mund të aplikojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë edhe listën me emrat e kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale”, deklaroi ai.
Elezi po ashtu pohoi se “Është krejtësisht në vullnetin e subjekteve politike që të përcaktohen se në cilat komuna duan të garojnë”.
“Po ashtu, është në vullnetin e subjekteve politike që të zgjedhin nëse në një komunë të caktuar do të garojnë vetëm në zgjedhje për Kryetar Komune ose për Kuvend Komunal apo për të dyja së bashku. Me qëllim të lehtësimit të aplikimit, ky proces do të mundësohet online, përmes platformës elektronike”, potencoi ai.
Ndryshe, Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 do të mbahen më 12 tetor dhe do të përcaktojnë përbërjen e re të Kuvendeve Komunale si dhe Kryetarët e rinj të Komunave në të gjithë vendin.