Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar zyrtarisht përmes një komunikate për media pas humbjes minimale 0-1 kundër Turqisë në finalen e “play-off”-it, duke u fokusuar veçanërisht në mbrojtjen e kapitenit Vedat Muriqi.
Institucioni më i lartë i futbollit në vend ka dënuar ashpër gjuhën fyese dhe komentet përçarëse që janë drejtuar ndaj sulmuesit kryesor në rrjetet sociale, duke i cilësuar ato si sulme që prekin jo vetëm një lojtar, por simbolin e Kosovës dhe krenarinë e të gjithë shqiptarëve.
Sipas FFK-së, futbolli është shumë më tepër se një lojë dhe shërben si pasqyrë e identitetit dhe përkushtimit të shoqërisë sonë.
Në këtë kuadër, Vedat Muriqi vlerësohet si një shembull i lartë i profesionalizmit dhe pasionit, ku kontributi i tij në fushë nuk duhet të matet thjesht me statistikat e golave, por me lidershipin dhe shpirtin që ai dhuron në çdo ndeshje.
Federata thekson se golat e tij nuk janë vetëm pikë në tabelë, por emocione që frymëzojnë popullin dhe shkruajnë historinë moderne të vendit tonë në arenën ndërkombëtare.
Në reagimin e saj, Federata ka bërë thirrje që shoqëria dhe institucionet të refuzojnë negativitetin e shpërfaqur nga një numër i vogël individësh.
Për FFK-në, mbrojtja e vlerave si dinjiteti dhe uniteti është një detyrim moral, pasi futbolli tregon se kush jemi dhe çfarë vlerash mbrojmë si komb.
Pavarësisht rezultatit të mbrëmshëm, Federata ka shprehur mirënjohje të thellë për shumicën e tifozëve dhe qytetarëve, të cilët ditën të vlerësonin djersën e derdhur në fushë dhe qëndruan pranë Kombëtares me duartrokitje dhe mbështetje të palëkundur.
Reagimi i Plotë:
Futbolli nuk është thjesht lojë. Ai është pasqyrë e identitetit, e përkushtimit dhe e vlerave që ne, si shoqëri, duam t’i promovojmë.
Kur kapiteni i Kombëtares, Vedat Muriqi, sulmohet me fyerje dhe gjuhë përçarëse, kjo nuk prek vetëm një lojtar por prek një simbol të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve që e ndjekin futbollin me krenari.
Vedati ka dhënë gjithmonë më të mirën e tij në fushë. Përkushtimi dhe angazhimi i tij nuk matet vetëm me golat e shënuar, por edhe me lidershipin, energjinë dhe shpirtin që vë në çdo përballje.
Ai është shembull i profesionalizmit, i pasionit dhe i unitetit që Kombëtarja e Kosovës përfaqëson. Golat e tij nuk janë thjesht pikë në tabelë, ato janë emocione që frymëzojnë popullin shqiptar dhe krijojnë krenari për vendin tonë.
Ofendimet dhe komentet fyese në rrjetet sociale nuk kanë vend në futboll dhe as në shoqërinë tonë. Nuk duhet të lejojmë që individë tillë, fatmirësisht të pakët, të shpërfaqin negativitet, përçarje dhe urrejtje.
Si institucione e shoqëri, por edhe si individë, duhet të reagojmë kur vihen në diskutim vlerat që na bashkojnë dhe përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Vedat Muriqi nuk është vetëm kapiteni i Kombëtares. Ai është njëri prej Dardanëve që po shkruan historinë e vendit tonë.
Mirënjohja për të dhe për të gjithë lojtarët tanë nuk është thjesht një detyrim moral, është një reflektim i vlerave që duam të kultivojmë si shoqëri: përkushtim, dinjitet dhe krenari.
Në fund të ditës, futbolli është më shumë se rezultatet. Ai është mënyra si tregojmë se kush jemi dhe se çfarë vlerash mbrojmë.
Dhe Vedati, me punën dhe shpirtin e tij, na kujton çdo ditë se si duhet të jemi si komb, të bashkuar, të guximshëm dhe krenar për çdo arritje.
I jemi mirënjohës tifozëve dhe qytetarëve që, edhe pas humbjes së mbrëmshme kundër Turqisë, qëndruan pranë ekipit, duartrokitën dhe mbështetën përkushtimin e jashtëzakonshëm të djemve tanë.


