Rreth 280 punonjës të kompanisë Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastërtia” kanë nisur grevën për shkak të pakënaqësive të tyre me menaxhmentin, i cili nuk ua kishte kryer obligimet e premtuara për rritjen e pagave për 50 euro dhe për pagesat e trustit pensional prej 28 muajve.
Punonjësit që gati dy javë kanë ndërprerë të gjitha shërbimet ndaj qytetarëve, derisa të shqyrtohen kërkesat e tyre.
Kështu për të disatën herë me radhë po ndodh një situatë e tillë që sjell kolaps në gjithë territorin e Komunës, pasi Komuna e Ferizajt nuk po merr për bazë kërkesat e këtyre punonjësve.
E deri sa po kalojnë ditët, qyteti e vendbanimet e komunës kanë nisur të kundërmojnë nga grumbullimi i madh i bërllokut.
Për këtë situatë ka reaguar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Haliti, o cili vjen nga kjo komunë, ndërsa ka kritikuar kryetarin që nuk merret me zgjidhjen e problemit, por poston fotografi të maleve në rrjetet sociale.
“Ku po jeton Agim Aliu? Qyteti po kundërmon nga mbeturinat, ndërsa ai poston foto nga oda e tij, thuajse kjo gjendje e rëndë që mund të përfundojë në ndonjë pandemi po ndodhë në ndonjë shtet tjetër. Kryetari Aliu ka kohë që po abstenon nga detyra dhe përgjegjësia e tij që ka si kryetar i Ferizajt.
Ai ka vendosur që komunikimin me qytetarë ta bëjë me postime në Facebook përmes fotove të bukura nga malet, ndërsa bërllokun ja ka lënë Lulit”, ka thënë në reagimin e tij deputeti Haliti, ndërsa ka ironizuar, duke thënë “Ama Agimi burrë i mirë”.


