Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje rreth rastit të vrasjes së Bedri Rexhepit, i cili fillimisht ishte raportuar i zhdukur më 9 prill të vitit të kaluar.
Përmes një konference për media, Prokurori i rastit, Armend Hamiti, ka thënë se dje gjatë ditës ka informuar familjarët se në bazë të të gjeturave ku bën pjesë profili biologjik, është vërtetuar identiteti i viktimës.
“Në bazë të të gjeturave antropologjike mjeko-ligjore ku bën pjesë përcaktimi i profilit biologjik, krahasimit të gjetjeve otologjike, si dhe provave të tjera, është identifikuar identiteti i viktimës”.
Ai poashtu bëri me dije se ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, për veprat penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe dëmtimi i varreve apo kufomave”.
“Motivi i kryerjes së këtyre veprave penale është i ulët. Sipas hetimit tonë i cili ka zgjatur rreth 18 muaj, rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material për shumën 30 mijë euro. Të akuzuarit kanë besuar që Bedri Rexhepi i posedon për të cilin më pas kanë bërë plan dhe e kanë ekzekutuar”, tha prokurori Hamiti, njofton KosovaNews.