I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për adresimin e shqetësimeve të Perëndimit që kanë të bëjnë me ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
“Unë i kërkova kryeministrit ta suspendojë vendimin përderisa ne, bashkë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeverinë e Kosovës, punojmë për një zgjidhje më afatgjate që u përshtatet nevojave tuaja, pra transfereve elektronike në euro përmes sistemit të Kosovës. Por, tani, ne duhet të bëjmë diçka urgjente. Fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur atë për këtë”, ka deklaruar Escobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Deklarata e tij vjen pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili megjithatë ka shprehur gatishmërinë për të adresuar shqetësimet për dinarin.
Ndërsa, Escobar, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të enjten kishte theksuar se kryeministri Kurti i ka premtuar se do të shqyrtojë disa prej propozimeve të tij që kanë të bëjnë me çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit.