I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, zhvillon takime me liderët shtetërorë të vendit.
Ai fillimisht është pritur në takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe pas takimit kanë dalë në një konferencë për media ku folën për takimin e nesërm që mbajën Kosova dhe Serbia në Ohër.
Emisari Escobar tha se pret që pas të shtunës të ketë lajme të mira.
Escobar ka thënë se SHBA-ja mbështet çdo mundësi që rajonin e çon drejt integrimit euroatlantik.
“Mirëpres takime shumë produktive në Ohër bashkë me presidentin serb dhe kryeministrin e Kosovës. Ne kemi për qëllim të mbështesim plotësisht çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësi për Kosovën, Serbinë dhe pjesën tjetër të rajonit që të bëhen anëtare të plota të komuniteti euroatlantik”, ka thënë ai në konferencë për media pas takimit me presidenten, Vjosa Osmani.
Escobar ka theksuar se Propozimi evropian është mundësi e jashtëzakonshme paqeje, ndërsa ka shtuar se SHBA-ja si mbështetëse kryesore e Kosovës do që kjo të funksionojë për Kosovën.

“Ky propozim evropian i lehtësuar përmes dialogut të BE-së mundëson një mundësi të jashtëzakonshme për paqe dhe të qëndrueshme mes dy vendeve të rëndësishme të rajonit. Si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë, ne kemi qëllim që kjo të funksionojë për Kosovën, por jo vetëm për Kosovën por tërë rajonin që të zhbllokohen disa prej atyre burimeve që Ballkani ia siguron vetes por edhe krejt Evropës. Mirëpres rezultat pozitiv në Ohër, jam shumë optimist për mundësitë për një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë. Shpresoj se pas së shtunës do të kemi lajme të mira”, ka përfunduar Escobar.
Ndërkaq presidentja Vjosa Osmani, në konferencë ka thënë se pret që në takimin në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që do të mbahet të shtunën në Ohër, të ketë një rezultat pozitiv.
“Në besojmë që një marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ku trajtohemi si dy shtete të barabarta është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Kosova shkon drejt Ohrit me këtë mendësi si dhe me shpresë për një rezultat pozitiv. Çdo tendencë nga Serbia për ta penguar këtë rezultat përmes kushtëzimeve mund ta dëmtojë pastaj tërësisht procesin e dialogut”, ka theksuar Osmani.
Në këtë rast Osmani theksoi se Kosova ka pasur gjithmonë qasje kontruktive në dialog e sidomos tani, duke e kuptuar momentumin e rëndësishëm që paraqet takimi në Ohër.
Ajo tha se presin që marrëveshje t’i hap rrugë Kosovës në integrime euroatlantike, ndërsa theksoi se integriteti territoriale e kushtetues i Kosovës si dhe funksionaliteti i brendshëm do të ruhen me çdo kusht dhe në çdo proces dialogu.
Osmani shtoi se është thelbësore që çdo marrëveshje e arritur në dialog të jetë e zbatueshme e po ashtu të mbështetet nga populli i Kosovës dhe të zgjedhurit e tij në mënyrë demokratike.
“Ne do të vazhdojmë të ndërtohet konsensus në të gjithë spektrin politik në vend dhe për të siguruar që marrëveshja pasi të nënshkruhet së bashku me planin e zbatimit, të miratohet në Kuvendin e Kosovës në mënyrë transparente dhe demokratike si dhe zbatimi i polotë i saj të bëhet në mënyrë efektive”.

