I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak dhe ai i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar kanë arritur në veri të Mitrovicës, ku pritet të takohen me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.
Tashmë Escobar e Lajçak kanë nisur takimin me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.
Lajçak dhe Escobar po qëndrojnë në veri të Mitrovicës në fund të vizitës në Kosovë, pasi dje takuan krerët e shtetit dhe ata opozitarë.
Emisari evropian pasditen e djeshme ka takuar bashkërisht edhe liderët e partive opozitare në vend, derisa një gjë të tillë e kishte bërë një ditë më herët edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor.
Ndërmjetësuesi i dialogut nga Bashkimi Europian, Miroslav Lajçak, ka treguar detaje nga këto takime në Kosovë përmes cicërimave në Twitter.
Ai tha se me Escobar dhe Osmanin kanë diskutuar për rëndësinë e shmangies së tensioneve të mundshme në veri të Mitrovicës, derisa me shefin e qeverisë kosovare përpos kësaj teme kanë folur për takimin e javës së kaluar në Bruksel.
Dy ditët e fundit, më 23 dhe 24 gusht për vizitë në vendin tonë ishin i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në përpjekje për të shtensionuar situatën dhe për të gjetur zgjidhje për çështjen e targave dhe dokumenteve, pasi nga 1 shtatori pritet zbatimi i reciprociteti në këto dy çështje.
Escobar e nisi vizitën e tij në Kosovës të martën ku ka zhvilluar takim me presidenten Vjosa Osmanin e pastaj edhe me liderët opozitarë. Kurse dje Escobar së bashku Lajçak pas takimit me Osmanin kanë mbajtur një takim tjetër edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik BIslimi.
Pas këtyre takimeve ndonëse nuk kanë dhënë detaje ata janë prononcuar për media.
Emisari i ShBA-së, Gabriel Escobar ka theksuar se janë të angazhuar për të parandaluar çfarëdo përshkallëzimi në Kosovë më 1 shtator.
Ai bëri të ditur se janë siguruar nga Kosova dhe Serbia se nuk do të ketë dhunë më 1 shtator, atëherë edhe kur hyjnë në fuqi dy vendimet qeveritare për targat dhe reciprocitetin në dokumente.
Escobar potencoi se pret nga palët propozime konkrete për të gjetur një zgjidhje.


