Ka ndërruar jetë Martin Hajdari, figurë e njohur e jetës urbane dhe kulturore të Prishtinës.
Hajdari është cilësuar nga gazetari Enver Robelli si “Napoleoni i gastronomisë së Prishtinës”, një mikpritës zemërgjerë dhe fjalëmençur.
Në një postim në Facebook, Robelli ka kujtuar Hajdarin si “hyzmeqar që e lezetonte jo vetëm ushqimin, por edhe tavolinën me ironinë e tij që i buronte nga sytë shkreptimtarë.”
Ai ka shërbyer për mbi gjysmë shekulli në hotele të njohura si “Bozhur” dhe “Grand”, për të themeluar më vonë kafenenë legjendare “Te Martini” në mesin e viteve 1990-të.
Gazetari Enver Robelli shkruan se kjo kafene e hapur në një kohë represioni, u bë më shumë se një vend për të pirë kafe, ishte një hapësirë rezistence.
“Ishte një akt rezistence kundër regjimit represiv të asaj kohe, i cili i kishte përjashtuar shqiptarët nga jeta publike,” shkruan Robelli.
Aty mblidheshin profesorë, shkrimtarë, gazetarë, artistë, politikanë e qytetarë të zakonshëm – një pasqyrë shumëngjyrëshe e shoqërisë kosovare.
“Konaku i tij ishte dhoma më e mirë e ditës për shumë njerëz,” thekson Robelli, duke shtuar se Hajdari me vetë emrin dhe praninë e tij “mishëronte koloritin kosovar”.
Robelli tutje shkruan: “Usta i vjetër me buzëqeshje përherë të freskët: faleminderit për mikpritjen.”
Duke e krahasuar me shkrimtarin francez Honoré de Balzac, Robelli shkruan: “Njëri la trashëgim romane klasike, tjetri legjenda urbane në një qytet ballkanik të cilit më shumë se buka i duhet dashamirësia.”
Martin Hajdari do të mbahet mend si një ikonë e mikpritjes, rezistencës dhe kujtesës urbane të Prishtinës.