Emisar special i ShBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Gabriel Escobar nesër pritet të vizitojë Prishtinën. Në kuadër të intensifikimit të dialogut, diplomati amerikan, përveç liderëve institucionalë do të takohet edhe me përfaqësuesit e partive opozitare.
Escobar gjatë qëndrimit të tij në Kosovë do të takojë presidenten Vjosa Osmani.
Kjo është konfirmuar nga këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina.
“Po, presidentja Osmani do të takohet me Emisarin Gabriel Escobar”, tha Kupina.
Detaje të tjera për këtë vizitë nuk janë dhënë, megjithëse kjo është hera e dytë brenda disa javësh, që amerikani Escobar takon edhe partitë opozitare.
Herën e kaluar në Kosovë, Escobar ka qenë së bashku me evropianin Mirslav Lajçak. E ky i fundit javën e kaluar ka qëndruar në Prishtinë, ndërsa dje ka vizituar Beogradin.
Në dy takimet me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksander Vuçiq, Lajçak ka thënë se temë boshte e diskutimit kanë qenë targat dhe energjia.
Ndryshe, javëve të fundit janë intensifikuar përpjekjet e liderëve botëror sa i përket bisedimeve Kosovë-Serbi.
I fundit ishte sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili bisedoi përmes telefonit me Kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin Vuçiq. E në këtë proces janë angazhuar edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti Emmanuel Macron, të cilët kanë dhënë një propozim për marrëveshjen dypalëshe.