Kanë mbetur edhe vetëm 10 ditë deri në përfundimin e afatit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, të cilët do të mund të votojnë përmes postës në zgjedhjet për kryetarë komunash dhe kuvende komunale.
Këtë e ka konfirmuar për Ekonomia Online zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, i cili ka dhënë edhe të dhënat më të fundit nga procesi i regjistrimit.
“Prej gati një muaji është duke vazhduar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhjet lokale, e cila do të përfundojë pas 10 ditësh. Nga data 23 korrik deri të martën, më 19 gusht, përmes platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar gjithsej 9,961 aplikime për regjistrim. Prej tyre, 7,681 janë aprovuar, ndërsa 2,280 janë refuzuar”, tha Elezi.
Ai ka sqaruar se në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur dokumentin që dëshmon adresën e tyre jashtë Kosovës.
“KQZ është duke i informuar individualisht të gjithë aplikuesit e refuzuar për arsyet e refuzimit dhe u ka bërë të ditur se mund të riaplikojnë duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”, theksoi Elezi.
Sipas KQZ-së, votimi përmes postës do të nisë më 17 shtator dhe do të zgjasë deri më 11 tetor 2025. Ky proces do të vlejë vetëm për votuesit që arrijnë të regjistrohen deri më 29 gusht.


