Avni Islami, ekspert i sigurisë, ka folur lidhur me pranimin e fajësisë nga agjenti i BIA-s serbe, Aleksandër Vlajiq, i cili është dënuar sot me 5 vite burgim.
Islami ka thënë se prej kohësh si BIA serbe, po ashtu edhe agjencitë ruse të spiunazhit, por edhe të vendeve të tjera në Kosovë, kishin gjetur teren për zbatim.
Mirëpo, AKI, sipas tij, që nga themelimi e deri më sot konsiderohet si një nga organizatat më profesioniste në rajon.
“Për punën dhe profesionalizmin e tyre flasin vetë arrestimet e fundit, të cilat janë bërë nga ana e Policisë së Kosovës, të ndihmuara me prova dhe fakte të mbledhura nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës”, ka thënë ai, për RTV Dukagjini.
Tutje Islami është shprehur se kjo tregon në efikasitetin e sigurisë.
“Ku në asnjë hallkë nuk ka çaluar, duke filluar nga policia, AKI, prokuroria dhe gjykata.”
Sipas Islamit, kjo tregon se institucionet e sigurisë veprojnë në tërë territorin e vendit dhe janë të gatshme e të afta që të neutralizojnë të gjithë ata që përpiqen të dëmtojnë Kosovën.
Tutje Islami ka thënë se pas këtij rasti pritet të ketë edhe arrestime të tjera.
Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi sot Aleksandar Vlajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai u deklarua fajtor në një seancë dëgjimore më 5 qershor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).
Vlajiq, gjithashtu, u deklarua fajtor për posedim të paligjshëm të armëve. Për këtë vepër ai u dënua me 6 muaj burgim, por e cila iu zëvendësua me një gjobë prej 1.000 eurosh.
Sipas aktakuzës, e cila u ngrit më 22 maj, Vlajiq veproi si bashkëpunëtor i BIA-s, duke mbledhur informacione që kërcënonin rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.
Mes tjerash, në aktakuzë përmendet se ai regjistroi fshehurazi lëvizjet e automjeteve të Policisë së Kosovës dhe praninë e bashkësisë ndërkombëtare në veri, dhe se mblodhi të dhëna për anëtarët e komunitetit serb të dyshuar si bashkëpunëtorë të institucioneve të sigurisë në Kosovë. Vlajiq, i cili u arrestua më 26 qershor 2024, ishte anëtar i Policisë së Kosovës.
Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse ndonjë i dyshuar shpallet fajtor.