Zyra Kombëtare e Auditimit, ka gjetur një vistër shkeljes, në licencimin e hidrocentraleve në Kosovë.
Për hidrocentralet, në një raport të nisur ex officio, edhe Institucioni i Avokatit të Popullit, ka dhënë disa rekomandime serioze, për Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, Komunën e Deçanit, atë të Shtërpcës, Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial.

Në raportin e ZKA-së, i cili përfshirë periudhën kohore nga viti 2016 deri më 2021, është konstatuar se ME, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ajo e Infrastrukturës, nuk kanë bërë përpjekje të mjaftueshme për të koordinuar aktivitetet e tyre me qëllim të arritjes së caqeve për prodhimin e energjisë së ripërtërishme, përfshirë edhe hidrocentralet.
“Hidrocentralet, janë lëshuar në përdorim pa u pajisur me leje ujore, mjedisore dhe licencë të prodhimit”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Si rrjedhojë, raporti konstaton se për ndërtimin e tyre, janë dhënë leje jashtë kompetencave të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, duke shtuar ndër të tjera, se për këto ndërtime as Inspektorati i MMPHI, nuk ka ushtruar kompetencat për monitorimin e hidrocentraleve.

Në përgjigjet e dhëna për këto të gjetura nga MMPHI, ME dhe Komuna e Shtërpcës, janë pajtuar me të gjeturat dhe konkluzionet e auditimit, ZRrE, nuk është pajtuar plotësisht, ndërsa në dokumentin e siguruar nga Kosovanews, nuk figuron Letër Konfirmimi nga Komuna e Deçanit.

ZKA, pos konkluzioneve ka dhënë edhe disa rekomandime për secilën nga institucionet e përfshira në dhënien e lejeve dhe ushtrimit të kompetencave ligjore për hidrocentralet.
Ndryshe, Avokati i Popullit, lidhur me çështjen e ligjshmërisë së procedurave që kanë të bëjnë me hidrocentralet në vend dhe qasjes në dokumente përkitazi me hidrocentralet, me të gjeturat e raportit u është drejtuar ish U.D ministrit të ekonomisë, Muharrem Nitaj, kryetarit të Deçanit Bashkim Ramosaj, atij të Shtërpcës Branislav Nikoliç, kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës Jetish Malokut dhe Skënder Çoçajt ktyesues i Këshillit gjyqësor të Kosovës.

Për Ministrinë e Ekonomisë që tash drejtohen nga Artane Rizvanolli dhe Ministrinë e Ambientit, që udhëhiqet nga Liburn Aliu, Avokati i Popullit u ka rekomanduar “të bëjnë publike tërë dokumentacionin lidhur me hidrocentralet në vend.
Për drejtuesit e komunës së Deçanit, raporti rekomandon që ” të bëjnë publike tërë dokumentacionin lidhur me hidrocentralet në komunën e Deçanit”.
Avokati i Populli, i ka kërkuar komunarëve të Shtërpcës, që “të bëjnë publike tërë dokumentacionin lidhur me hidrocentralet në komunën e Shtërpcës”.
Për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Avokati i Popullit ka rekomanduar “të ndërmarrë masa që rastet që lidhen me hidrocentralet, t’i trajtojë me prioritet”.
Edhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Avokati i Popullit ka bërë rekomandimin e njëjtë, duke kërkuar që “të ndërmarrë masa që rastet që lidhen me hidrocentralet, t’i trajtojë me prioritet”.

Shkas për këto rekomandime, janë bërë konstatimet që Avokati i Popullit ka renditur në raport, ndër të cilat edhe se institucionet përgjegjësie për të drejtën e operimit të hidrocentraleve, nuk kanë arritur të japin të dhëna të sakta dhe të plota lidhur me ligjshmërinë e hidrocentraleve dhe s’kanë respektuar parimin e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje, raporton Kosovanews.
Gjithashtu, Avokati i Popullit ka konstatuar se mosofrimi i qasjes në dokumente që lidhen drejtpërdrejt, apo kanë të bëjnë me hidrocentralet, është veprim antikushtetues dhe kundërligjor.
Njëkohësisht Avokati i Popullit, ka vlerësuar se sistemi gjyqësor në vend, jo vetëm në rastin konkret, por edhe në të gjitha rastet që kanë të bëjnë me mjedisin, nuk është duke arritur përmbushjen e parimit të sigurisë juridike.