Ad image

Vuçiq: Kemi folur me KEDS-in për qasje në veri, jemi afër arritjes së marrëveshjes për energjinë

Alban Begolli
Alban Begolli 10:31 -11/06/2022

Presidenti i Sebisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se është i gatshëm për dialog dhe bisedime me Kosovën dhe se sipas tij janë afër arritjes së një marrëveshje për të pagjeturit dhe rrymën në veri.

Këtë ai e tha në një konferencë për media, pas takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

“Për çdo rast jemi të gatshëm për proces në dialog, për bisedime dhe besoj se jemi afër që të arrijmë një marrëveshje për personat e pagjetur dhe për energjinë”, ka thënë Vuçiq.

Presidenti serb tha se ka pasur bisedime me palën turke, me KEDS-in për qasjen në veri të Kosovës duke shtuar se kanë mbetur vetëm disa detaje teknike.

“Sot kemi pasur bisedime me palën turke, me KEDS-in për qasje në veri të Kosovës. Për këtë jemi marrë vesh kanë mbetur disa detaje teknike dhe besoj që për këto do të pajtohemi dhe të merremi vesh për ditët në vijim”, u shpreh Vuçiq.

Që nga paslufta, banorët e katër komunave me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan nuk e paguajnë energjinë elektrike të cilën e shpenzojnë.

Deri në vitin 2017, energjia elektrike e shpenzuar në këto katër komuna iu është faturuar qytetarëve që i kanë paguar faturat e energjisë elektrike. Faturat e qytetarëve të Kosovës ishin për 3.5 për qind më të shtrenjta.

Pas padisë së Institucionit të Avokatit të Popullit, Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore të Prishtinës, në muajin shtator të vitit 2017 e kishte pezulluar ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë sipas të cilit shpenzimet e energjisë elektrike të qytetarëve të komunave veriore të Kosovës, u faturoheshin konsumatorëve të tjerë.

Rreth 13 milionë euro ka paguar Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) për muajin janar dhe shkurt të vitit 2022 për humbjet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ndërsa pritet kosto me e lartë për muajin mars.

Shpërndaje