Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për raportet e saj me kryeministrin Albin Kurti, kështu duke përmendur Ligjin për Paga.
Osmani u shpreh se ka sektorë që me Ligjin e ri për Paga duhet të trajtohen më dinjiteshëm, që siç thotë ajo “e mbajnë gjallë shtetin tonë”.
“Ka sektorë në të cilët bashkëpunojmë më shumë, e sektorë më pak. Ka sektorë ku pajtohemi çdo ditë, e sektorë ku nuk pajtohemi fare. Çka bëjmë është kjo: mospajtimet tona i diskutojmë duke e kuptu që të dyja palët e kemi qëllimin e mirë që është jeta më e mirë e qytetarëve dhe gjejmë zgjidhje përpara. Nuk mendoj që këto garat institucionale, armiqësia mes institucioneve e ndihmon Kosovën. Përkundrazi, krijon një imazh të keq dhe pastaj çdo ditë në vend se të dëgjohet se si po kryhet një punë dëgjohet kjo tha ashtu, kjo ashtu. Natyrisht se ka tema ku nuk pajtohemi, por i zgjidhim të gjitha sepse ka qëllim reciprok. Kjo nuk do të thotë që nuk kritikohemi shpesh mes vete. Ta zëmë në Ligjin për Paga kam pasur mospajtime të mëdha të cilat janë shpreh dhe shpresoj që kanë me u marrë parasysh këto vërejte sepse ka sektorë që duhet të trajtohen më dinjitetshëm, sektorë që e mbajnë gjallë shtetin tonë që e mbrojnë atë”, tha Osmani në Dukagjin.
Presidentja Osmani u ka bërë lutje qytetarëve të Kosovës, veçanërisht të rinjve, që të mos braktisin Kosovën pas një janarit të vitit 2024.
Ajo ka thënë se hapat ndonëse të vegjël, po vazhdojnë të rriten drejt disa hapave gjigand e përmbajtësor.
“I lus qytetarët tanë, veçanërisht të rinjët që të mos ta humbin shpresën në Kosovën. Hapat mund të duken të vegjël por e rëndësishme është që jemi në rrugë të drejtë, hapat do të rriten. Do të bëhen më të mëdhenj dhe më përmbajtësor”, ka thënë Osmani.
Tutje, presidentja Osmani numëron dy hapa të cilat sipas saj, duhen realizuar në Kosovë.
“Mund të ketë raste shtesë mirëpo shumica e njerëzve që kanë dashur të provojnë veten edhe jashtë vendi në profesionet e tyre tashmë kanë shkuar përmes vizave të punës, disa prej tyre po kthehen disa jam e bindur se do të kthehen me kohë. Është sfidë e madhe ikja nga vendi, kryesisht problemi është çështja me nivelin e pagave se nuk është që mungojnë vendet e punës edhe pse janë profesione shumë të caktuara u po kërkohen punëtor. Duhet t’i bëjmë dy gjëra, e para, çdo vit të rriten pagat jo vetëm në sektorin publik por edhe të nxitet ngritja e pagave në sektorin privat sepse aty punojnë shumica e puntorëve. Dhe e dyta të sigurohemi të ketë përputhje në mes asaj çka prodhojnë universitetet me atë çka e kërkon tregu i punës”, ka thënë ajo.


