Sot kanë nisur punimet e rrugës Prishtinë-Podujevë, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, ministrat Liburn Aliu dhe Hysen Durmishi si dhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Kryeministri Kurti tha se kjo rrugë është mjaftë e rëndësishme, pasi ka shumë qarkullim të automjeteve.
Rruga Prishtinë – Podujevë është e vjetër gjysmë shekulli dhe ka qenë nevojë e kamotshme e trevës së Llapit që të lidhet me kryeqytetin në mënyrë efikase, pra të shpejtë e të sigurte, tha Kryeministri Kurti, duke shtuar se do të bëjmë çmos që kjo rrugë të përfundojë sa më parë.
Ai theksoi se tash jemi në rrugë të mbarë për të përfunduar këtë zgjerim i cili është i rëndësishëm pra jo vetëm për shpejtësinë e lidhjes me kryeqytet por edhe për sigurinë e të gjithë udhëtarëve, pasi siç veçoi ai, këto vitet e shkuara kemi pasur shumë aksidente me fatalitet.
Kryeministri Kurti përgëzoi ministrin Aliu dhe zëvendësministrin Durmishi për angazhimin për përgatitjet dhe planifikimin, meqë ngecja e madhe ka ekzistuar pikërisht për shkak se kanë hyrë në ekzekutim pa planifikim e pa përgatitje.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, duke falënderuar Qeverinë e Kosovës për këtë mundësi të madhe për qytetarët, tha se ky është një projekt i shumëpritur, për arsye se kjo rrugë, pati shkaktuar shumë vështirësi në qarkullim, për shkak të numrit të madh të automjeteve dhe qytetarëve, të cilët lëvizin në drejtim të Prishtinës.



