Ad image

Kurti mirëpret miratimin e projektligjit për paga, nuk i përmend pensionet e veteranëve

Kosova News
Kosova News 17:53 -14/06/2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur miratimin në lexim të parë të projektligjit për pagën minimale dhe emërimin e anëtarëve të Bordit të Konkurrencës, por nuk ka përmendur pensionet e veteranëve të luftës së UÇK e as protestën e thirrur nga OVL UÇK për të enjten.

Në një postim në ‘Facebook’, i pari i Ekzekutivit ka shkruar se mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat përfitojnë rritje mbi 100%, respektivisht mbi 50% të pagës mujore, ndërkaq plot 380 mijë punëtorë të sektorit privat dhe publik përfitojnë prej lirimit nga tatimi i të ardhurave deri në shumën e pagës minimale.

“Lajm i mirë për qytetarët që sot Kuvendi i Republikës miratoi në lexim të parë të ligjin për rritjen e pagës minimale në 264 euro dhe lirimin nga tatimi i të ardhurave deri në pagën minimale. Mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat, përfitojnë rritje mbi 100%, respektivisht mbi 50% të pagës së tyre mujore, ndërkaq plotë 380 mijë punëtorë të sektorit privat dhe publikë përfitojnë prej lirimit nga tatimi i të ardhurave deri në shumën e pagës minimale. Përveç se po e rrisim pagën minimale për herë të parë pas 11 vitesh, po rrisim atë më shumë se çdoherë tjetër më parë. Ndërkaq pragun e shkallës tatimore po e zhvendosim nga 80 euro në 250 euro.

Gjithashtu, i uroj punë të mbarë anëtarëve të sapo zgjedhur të Komisionit për Autoritetin e Konkurrencës, që për herë të parë udhëhiqet nga një grua. Ky institucion ka rëndësi të madhe në mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në vend. Rëndësia e tij rritet edhe më shumë tani që po përballemi me një periudhë inflacioni.

E nga sot, me miratimin e Projektligjit për Provimin e Jurisprudencës, për herë të parë këtij provimi do të mund t’i nënshtrohen edhe kandidatë nga trojet tjera shqiptare, duke përfshirë këtu shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit”, ka shkruar ai në postimin e tij.

TAGGED: ,
Shpërndaje