Partia Demokratike e Kosovës e ka dorëzuar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Fondin Sovran.
Deputeti Ferat Shala nga radhët e PDK-së tha se janë të bindur që ky ligj do të duhej të kthehej sepse sipas tij kjo qeveri me ligje të tilla diskriminuese po orvatet të kap resurset dhe asetet.
“Dështimet ekonomike që ka arritur në këto tri vjet në këto ndërmarrje po orvatet të vendosë një super-strukturë menaxhuese për të krijuar pabarazi dhe për të hap linja të reja të kontrollit mbi këto asete”, tha ai.
Këtë e ka bërë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ditë më parë.
Deputeti i LDK-së Besian Mustafa dhe anëtari i Kryesisë, Berat Rukiqi, thanë se presin vendim në kohë reale.
Të premten e kaluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës e miratuan në lexim të dytë Projektligjin për Fondin Sovran. 62 deputetë votuan pro këtij projektligji, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Qeveria e Kosovës ka thënë se Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike.