Të tejkalueshme i ka quajtur edhe presidentja Vjosa Osmani dallimet në qëndrime me kryeministrin Albin Kurti, një ditë pasi ky i fundit pati thënë se s’janë të pakapërcyeshme dallimet që kanë.
Presidentja Osmani ka theksuar se çdo gjë është e tejkalueshme kur të vendoset interesi shtetëror dhe qytetar.
Ajo pas takimit me kryetarët e komunave, foli edhe për themelimin e Asociacionit, ku tha se bazë e tij do të jetë kushtetutshmëria dhe ligjshmëria.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë të martën se nuk beson që ekzistojnë dallime të patejkalueshme mes tij dhe krerëve tjerë shtetërorë, përfshirë Osmanin.
Përplasjet mes presidentes dhe eksponentëve të Qeverisë janë shpalosur ditë më parë me moskoordinimin mes tyre në lidhje me letrën zotuese për hartimin e draftstatutit të Asociacionit një ditë para takimit të ministrave të Këshillit të Evropës. / KP