Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar edhe për dy muaj masën e paraburgimit Edon Bujupit, i cili dyshohet se mbyti me thikë vjehrrin e tij.
Kjo është konfirmuar nga avokati i Bujupit, Driton Muharremi.
Bujupit i është vazhduar paraburgimi deri më 29 shkurt 2024, shkruan Betimi për Drejtësi.
Edhe herën e parë kur i ishte caktuar një muaj paraburgim Bujupit, gjykata kishte vlerësuar se ekziston rreziku i ikjes së të dyshuarit, mund të ndikojë tek të dëshmitarët, ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale.
Nga publikimi i kërkesës së Prokurorisë, thuhej se i dyshuari kishte shkuar në banesë dhe pas një mosmarrëveshje me babën dhe vëllain e gruas fillojnë përleshjet fizike mes tyre.
Gjithnjë sipas kërkesës së Prokurorisë, i dyshuari pastaj e ka goditur vjehrrin e tij me thikë, i cili pastaj vdes në QKUK.
Me këto veprime, Bujupi dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.
Më 1 dhjetor, i dyshuari ishte dorëzuar në Polici.


