Policia e Kosovës ka pranuar informacion se dyshohet për mjet shpërthyes në Klinikën e Patologjisë, respektivisht në Institutin Paraklinik, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës,
Lajmin e ka konfirmuar Agron Borovci, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prishtinës, i cili tha se Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’u siguruar nga shpërthimi eventual.
“Rreth orës 14:00 është pranuar informata për një mjet të dyshimtë, që dyshohet të jetë mjet shpërthyes, në Klinikën e Patologjisë, respektivisht Institutin Paraklinik. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për tu siguruar nga rreziku i shpërthimit eventual, duke evakuuar personelin përreth dhe siguruar perimetrin e nevojshëm. Në vendngjarje po ashtu janë ftuar edhe ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, të cilët aktualisht po vazhdojnë punën deri në pastrimin e plotë të perimetrit të siguruar nga ana e policisë”, tha Borovci.


