Sot janë bërë dy vjet, që kur u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme, ku Lëvizja Vetëvendosje doli fituese.
Dy vite më parë, nata e 14 shkurtit nxori Vetëvendosjen fituese të zgjedhjeve me rezultat të thellë përballë partive të tjera.
Pak ditë më vonë, pas numërimit të të gjitha votave, u konfirmua ajo që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë. Një parti politike, e vetme kishte marrë mbi 50% të votave.
Ky rezultat i mundësoi Lëvizjes Vetëvendosje që ta krijonte e vetme kabinetin e ardhshëm qeveritar.
Në bazë të rezultateve të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë besimin e 50.28% të qytetarëve që kishin dalë në zgjedhje.
Kjo ishte hera e dytë që Vetëvendosje fitonte zgjedhjet parlamentare. Për herë të parë kishte fituar me 6 tetor 2019, por me dallim shumë të vogël me LDK-në.
Zgjedhjet parlamentare u mbajtën në Kosovë pasi Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë Qeverinë Hoti si jokushtetuese, meqë në procesin e votimit të saj kishte marrë pjesë edhe një deputet që ishte i dënuar me vendim të formës së prerë.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Vetëvendosje afroi afër vetes të pakënaqurit e LDK-së, me në krye Vjosa Osmanin. Ndërsa vetë Albin Kurti, ndonëse ishte pjesë e listës, nuk ishte certifikuar si kandidat për shkak të dënimeve që kishte pasur nga gjykatat në periudhën e 3 viteve të fundit.
Të pakënaqurit e LDK-së sapo kishin nisur iniciativën e quajtur “GUXO” dhe të njëjtit iu bashkuan Lëvizjes Vetëvendosje.
Vjosa Osmani, që sot është presidente, kishte shkelur një rekord të ri në historinë e zgjedhjeve parlamentare. Ajo ishte bërë personi më i votuar, duke marrë besimin e 300 mijë e 756 qytetarëve kosovarë.
Pas saj ishte radhitur Glauk Konjufca me 200 mijë e 646 vota, që tani udhëheq me Kuvendin e Kosovës.
Personi i tretë më i votuar i zgjedhjeve të 14 shkurtit ishte Arben Vitia me 107 mijë e 858 vota.
Mirëpo ky numër i madh i votave nuk i kryen punë Vitisë 9 muaj më vonë kur i hyri garës për kreun e Prishtinës. Ai humbi zgjedhjet për të parin e kryeqytetit përballë Përparim Ramës, me profesion arkitekt, që kurrë më herët nuk ishte marrë me politikë.
Zgjedhjet e 14 shkurtit, eksponentët e Vetëvendosjes ia kishin lënë një emër tjetër. Sipas tyre, 14 shkurti nuk do të ishte ditë e zgjedhjeve, por ditë e referendumit.
Certifikimin e rezultatit mbi 50%, Kurti e kishte quajtur “shans të madh për Kosovën”.
“Certifikimi i rezultateve u bë sot. Fitoi referendumi, fituam në referendum: 50,28%. Ditë e mirë për Republikën. Shans i madh për Kosovën”, kishte shkruar Kurti.
Rezultatet i siguronin Vetëvendosjes 58 deputetë, PDK-së 19, LDK-së 15, Listës Serbe 10 dhe AAK-së 8.
Qeveria Kurti 2 u jetësua më 22 mars të vitit 2021.
Deputetët e Kosovës me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim kishin votuar për Qeverinë e re të vendit, duke e kthyer Albin Kurtin edhe një herë në krye të Qeverisë.
Po atë ditë, Kuvendi kishte votuar edhe Glauk Konjufcën kryetar të Kuvendit, ndërsa disa javë më vonë edhe Vjosa Osmani u betua si presidente e Republikës, duke u bërë kështu gruaja e dytë në historinë e Kosovës që udhëheq me presidencën.
Me 71 vota për në rundin e tretë të votimit, Osmani mori besimin e Kuvendit të Kosovës për të qenë në krye të shtetit për një mandat pesëvjeçar.
Mandati i parë i Albin Kurtit si kryeministër zgjati shkurt, meqë partneri i koalicionit inicioi mocion mosbesimi duke e rrëzuar më 23 mars Qeverinë Kurti 1.
Për pak ditë, LDK-ja formoi një koalicion qeverisës së bashku me AAK – NISMA-AKR – Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.
Qeveria Hoti ishte zgjedhur më 3 qershor, me 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Kjo Qeveri njihet si qeveria e parë në Kosovë që bie për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas vendimit të Kushtetueses vota e deputetit Etem Arifi, e cila ka qenë vendimtare për Qeverinë Hoti, është shpallur e pavlefshme pasi që të njëjtin Gjykata e Apelit e kishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim për veprën penale mashtrim me subvencione.


