Qeveria e Kosovës i ka propozuar Kuvendit që të zgjasë masat emergjente për furnizimin me energji edhe për një muaj, me qëllim, që siç tha ekzekutivi, të ketë “normalizim të plotë” të gjendjes me rrymë.
Për këtë çështje sot është debatuar edhe në Kuvendin e Kosovës dhe në fjalimin e fundit para votimit, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se për çmimin e rrymës duhet të ketë diskutim të hapur.
“Masat emergjente, sipas natyrës janë emergjente dhe kërkohet të merret Kuvendi. Do të vijmë edhe dhjetë herë e do të kërkojmë nga ju të votohet pasi është e nevojshme për të bërë zgjidhje të shpejtë për qytetarët. Çmimi më i lirë është në Kosovë, nuk është as në Shqipëri e as Maqedoni. Në Shqipëri e Maqedoni situata po mbahet të tillë duke paguar 1000 euro për megavat orë. Duhet të kemi diskutim të hapur në Kuvend, shoqëri kudo, për atë sa duhet të paguajmë me çfarë çmimi për megavat orë si shtet”, ka thënë Rizvanolli.
Mirëpo këto masa nuk arritën që të kalojnë, pasi seanca u bojkotua nga deputetët e partive opozitare.
E argatë të opozitës sot janë bërë dy deputetët e nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli dhe Drita MIllaku.
Këta dy deputet janë parë sot në seancë dhe janë nënshkruar në listën e prezencës fizike, por me ardhjen e pikës ku shqyrtoheshin masat emergjente për furnizimin me energji dhe hedhjes së kësaj pike në votim, kanë lëshuar seancë.
Humolli dhe Millaku me këtë veprim i janë bashkuar opozitës, duke pamundësuar kështu që të kalojë tutje propozimi i Qeverisë së Kosovës.
Kështu për pasojë masat e qeverisë nuk mundet të kalojnë tutje, meqë në Kuvend kanë qenë të pranishëm vetëm 58 deputet të mazhorancës.
Të gjithë deputetët e shumicës që ishin prezentë në sallë dhe votuan pro masave të kërkuara nga Qeveria, në përjashtim të disa deputetëve që janë në udhëtim zyrtar jashtë vendit.
KosovaNews ka provuar t’i kontaktoj të dy deputetët, Humolli dhe Millaku, për të kuptuar arsyen që bojkotuan punimet e seancës, por këta nuk u janë përgjigjur thirrjeve.
Kujtojmë se deputeti Fatmir Humolli edhe në raste tjera më parë ka dalë kundër projekteve e vendimeve qeveritare, ndërsa Drita Millaku nuk ka sqaruar se pse bëri sot një veprim të tillë, sikur të ishte nga kampi opozitar.
Së fundmi, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se në sezonin e dimrit do të ketë reduktime të energjisë, për shkak të mungesës së kapaciteteve prodhuese për të mbuluar kërkesën dhe çmimit të shtrenjtë të importit të rrymës. Ekzekutivi u ka bërë thirrje qytetarëve që ta kursejnë rrymën gjatë dimrit, në mënyrë që niveli i reduktimeve të ulet.
Po ashtu, Qeveria së fundmi miratoi një vendim që i obligon institucionet publike, qendrore e lokale, si dhe të gjitha ndërmarrjet publike që të jenë “racionale në konsumim të energjisë” – me fokus të veçantë te ngrohja dhe ndriçimi.
Ndërkaq, më 20 shtator, Kosova ndaloi eksportin dhe ri-eksportin e produkteve të drurit që përdoren si lëndë djegëse.
Edhe Kosova është prekur nga kriza energjetike që ka mbërthyer Evropën. Dy termocentralet në Obiliq, Kosova A dhe B mund të prodhojë energji deri në 800 megavat në orë, kurse nevojat e konsumatorëve, gjatë dimrit, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë.


