Deputeti e VV-së, Enver Dugolli, nëpërmjet një shkrimi në profilin e tij në Facebook, ka reaguar ndaj anëtarëve të KPM-së që morën vendim t’ia lejojnë “Artmotion” transmetimin e kanaleve të “Arena” të Telekomit të Serbisë, kanale këto që me të drejtë ishin ndaluar më herët. Dugolli kërkon shkarkimin e anëtarëve të KPM-së, pasi, sipas tij, nuk i kanë votuar që të na sjellin Telekomin e Serbisë në shtëpitë tona. Vedimin deputeti e quan skaldaloz dhe të turpshëm, prandaj nuk duhet të kalojë sikurse nuk ka ndodhur asgjë.
“Komisioni i Pavarur për Media (KPM) dje paska marrë një vendim sa të turpshëm, po aq edhe skandaloz duke i leju “Artmotion” transmetimin e kanaleve të “Arena” të Telekomit të Serbisë, kanale këto që me të drejtë ishin të ndaluara më herët”, ka thënë Dugolli.
Sipas tij, ky vendim i këtij institucioni nuk do duhej të kalojë sikurse nuk ka ndodhur asgjë. Përpara se të aktivizohet prokuroria, Komisioni funksional Parlamentar duhet të iniciojë procedura për shkarkimin e atyre që me votën e tyre mundësuan kalimin e një vendimi të tillë.
“Ne, deputetët e Parlamentit të Kosovës nuk i votuam anëtarët e KPM-së që të na sjellin Telekomin e Serbisë në shtëpitë tona. Përkundrazi, ne besuam që këta do na mbronin nga fenomene të tilla”, ka thënë deputeti Dugolli.