Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka reaguar ndaj publikimit të një videoje ku pretendohet se një qytetar nga Drenica ka refuzuar t’ia zgjasë dorën kryeministrit Albin Kurti gjatë homazheve në Gllobar.
Përmes një reagimi publik, Dugolli e ka cilësuar raportimin si “titull bombastik”, duke thënë se synimi ishte krijimi i një lajmi artificial nga një rast i izoluar.
Ai ka deklaruar se në mesin e shumë qytetarëve drenicas që kishin dalë për të pritur kryeministrin, kryeparlamentaren dhe ushtruesen e detyrës së presidentes, është veçuar vetëm një person për të ndërtuar narrativë politike.
“Titull ‘bombastik’, por që në fakt nxjerr në pah një tjetër dimension të së vërtetës. Në mesin e shumë drenicasve që kishin dalë për të pritur Kryeministrin, Kryeparlamentaren dhe ushtruesen e detyrës së Presidentes, paskan ‘zbuluar’ një person të porositur për të krijuar ‘lajm’”, ka shkruar Dugolli.
Ai ka falënderuar kryeministrin Kurti për vizitat dhe homazhet që, sipas tij, i ka bërë vazhdimisht në Drenicë ndër vite.
“Unë, si drenicas, dhe në emër të shumë të tjerëve, e falënderojmë Kryeministrin Kurti, i cili jo vetëm tani, por në çdo përvjetor, nderon heronjtë, dëshmorët dhe viktimat civile të Drenicës”, ka deklaruar ai.
Dugolli ka shtuar se Kurti ka vizituar edhe zona ku, sipas tij, nuk kishte shkelur asnjë udhëheqës shtetëror që nga paslufta.
Në fund, deputeti i LVV-së ka theksuar se personi i shfaqur në video “nuk e përfaqëson nderin, mikpritjen dhe dhimbjen e drenicasve”.


