Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë se që nga viti 2002 deri më 18 dhjetor të vitit 2023 janë gjithsej 2930 persona të cilët e kanë humbur jetën në aksidente trafiku.
Në total ai ka bërë të ditur se deri më tani janë 2573 aksidente me fatalitet, ndërsa ka thënë se viti 2006 ka qenë më i kobshmi pasi 178 persona kanë humbur jetën.

Ai ka thënë se shkaktarët më të shpeshtë të këtyre aksidenteve janë mosmbajtja e distancës së sigurisë mes mjeteve, manipulimi i pasigurt me automjet, mospërshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës, mosrespektimi i përparësisë së kalimit dhe kyçja e pasigurt në rrugë.
“Shkaktarët me të shpeshtë sipas analizave të policisë janë mosmbajtja e distancës së sigurisë mes mjeteve, manipulimi i pasigurtë me automjet, mospërshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës, mosrespektimi i përparësisë së kalimit, kyçja e pasigurtë në rrugë, radhitja e parregullt apo ndërrimi i shiritave e kthimrrotullimi-lëvizja prapa”, ka deklaruar Hoxha.

Ndërsa Hoxha ka thënë se 44 për qind e të vdekurve në aksidente kanë qenë shoferë, 28 për qind këmbësorë dhe 27 për qind pasagjerë.
Ai ka thënë se gjatë këtij viti 104 persona kanë humbur jetën në aksidente të trafikut dhe ka thënë se kjo e bën të domosdoshëm ashpërsimin.
Drejtori Hoxha ka folur edhe për aksidentin e së shtunës në Prizren, ku tre persona humbën jetën në një aksident gjatë një gare ilegale automobilistike.


