Në kuadër të thellimit të raporteve të mëtutjeshme në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Greqisë, Delegacioni i udhëhequr nga Ministrja Hajdari me kolegët nga MINT dhe në shoqërim nga Drejtuesi i Zyrës së Interesave të Kosovës në Athinë, Fitim Gllareva, u pritën në takime nga përfaqësues të lartë të Greqisë, përcjell KosovaNews
Fillimisht, Ministrja Hajdari u mirëprit në takim me Ministrin Alternativ të Zhvillimit dhe Investimeve, Nikolaos Papathanasis me kolegë. Në këtë takim produktiv, palët reflektuan në portofoliot e ministrive që udhëheqin, duke i kushtuar fokus të veçantë sektorëve industrial dhe reformave të nevojshme strukturore për lehtësimin e të bërit biznes. Ministrja Hajdari me Zëvendësministrin Papathanasis shkëmbyen përvojat në fushën e investimeve strategjike për të cilën fushë pala greke ofroj mbështetje institucionale përmes departmentit të investimeve strategjike dhe agjencisë ekzekutive Enterprise Greece.
Në vijim, Ministrja Hajdari takoi Zëvendësministren e Turizmit, Maria Zaharaki, me të cilën diskutuan për zhvillimet dhe të arriturat në fushën e turizmit në Kosovë dhe Greqi dhe mundësitë e zhvillimit të ofertave turistike me vendet e rajonit për përfitime të përbashkëta për të sjellur punësim, rritje të të ardhurave ne Evropën Juglindore.
Zëvendësminstrja Zaharaki e shtjelloi rëndësinë që ka turizmi për zhvillimin ekonomik të Greqisë dhe prezantoi të gjitha programet turistike greke që kanë kontribuar në rritjen ekonomike. Palët u pajtuan që në të ardhmen të bashkëpunojnë në projekte të përbashkëta turistike për Evropën Juglindore, me fokus në promovimin e vlerave të përbashkëta me kulturë të pasur dhe qytetrim të lashtë.
Gjatë qëndrimit në Athinë, delegacioni kosovar u prit në takim me Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme për Diplomacinë Ekonomike dhe Hapje, Kostas Fragogiannis, i cili me mikpritje të ngrohtë theksoi rëndësinë për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare në mes dy vendeve dhe theksoi domosdoshmërinë që ka integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Greqia po ndjek një qasje konstruktive politike, si pjesë e përkushtimit të saj për forcimin e paqes, stabilitetit dhe promovimit të zhvillimit në Evropën Juglindore.
Në këtë kontekst, Ministrja Hajdari diskutoi me Zëvendësministrin Fragogiannis për përparësitë e zgjerimit të marrëdhënieve ekonomike me Kosovën në sektorët industrial në interes të përbashkët, për plotësim të furnizimeve të zingjirit të vlerës në nivel rajonal dhe më gjërë. Ministrja Hajdari në falëndëroi Zëvëndësministrin Fragogiannis për mbështetjen politike të Greqisë për Kosovën, gjatë proceseve të shtetndërtimit dhe antarësimit në organizata të rëndësishme euro atlantike.
Delegacioni i Ministres Hajdari përfshin edhe 10 biznese kosovare, që do të jenë pjesë e forumit të biznesit dhe rrjetëzimit me biznese greke, me qëllim të rritjes së shkëmbimeve tregtare Kosovë-Greqi.