Prokuroria Themelore në Prishtinë më 8 korrik 2025 paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj rreshterit Ibrahim Nela dhe zyrtarëve policorë: Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, të cilët dyshohen për vrasje nga pakujdesia të qytetarit Agon Zejnullahu në Lipjan. Ndaj pesë të dyshuarve, Gjykata në Lipjan ka caktuar masën e paraburgimit.
Sipas Dosjes së Prokurorisë që “Betimi për Drejtësi” e ka siguruar nga burime brenda Prokurorisë, thuhet se më 7 korrik 2025, rreth orës 00:10 në rrugën “Hajredin Bajrami” në Lipjan, të pandehurit duke vepruar nga pakujdesia, në bashkëkryerje privojnë nga jeta nga pakujdesia tani të ndjerin Agon Zejnullahu.
Aty thuhet se pasi kishin pranuar informacionin se një qytetar është duke bërë veprime të pakontrolluara, e po ashtu është duke sulmuar kalimtarët e rastit dhe veturat në lëvizje, zyrtarët policorë e hasin tani të ndjerin Agon Zejnullahu.
Sipas kërkesës, tani i ndjeri Zejnullahu, pasi që i vëren zyrtarët policorë duke vrapuar, afrohet tek vetura e Policisë e cila ishte në lëvizje dhe në një moment i njëjti rrëzohet për toke, ndërsa vetura e Policisë vazhdon lëvizjen përreth 20 metra dhe parkohet.
Prokuroria thotë se tani i ndjeri Zejnullahu, ngritet në këmbë duke pasur ekuilibër të çrregullt dhe vrapon në drejtim të zyrtarit policor Albian Retkoceri, ku i njëjti përdor sprejin lotsjellës ndaj qytetarit, i cili më pas futet në ulësen e shoferit në veturën “VW Golf 7”, e cila ishte e ndaluar në vend të ngjarjes.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, në vendin e ngjarjes kanë prezantuar edhe të dyshuarit- zyrtarët policorë Artidon Konxheli dhe Liridon Rrahmani, të cilët kishin qenë në detyrë zyrtare si dhe i dyshuari zyrtari policor Endrit Beqiri, i cili kishte qenë jashtë detyrës zyrtare dhe kalimtar i rastit.
Prokuroria përshkruan se tani i ndjeri Agon Zejnullahu, në disa momente tenton të dalë nga vetura, mirëpo e qetëson qytetari G.B (vozitësi i veturës Golf 7), mirëpo në një moment i njëjti arrin ta hapë derën e veturës dhe del nga vetura duke tentuar t’iu shmanget zyrtarëve policorë.