Kryeministri i vendit Albin Kurti mori pjesë në Konferencën e Sigurisë së 59 në Mynih të Gjermanisë.
Atje ai ka zhvilluar takime të shumta si në ditën e parë, ashtu edhe në ditën e dytë me liderë shtetërorë dhe përfaqësues institucionesh nga vende të ndryshme., ndërsa ka dhënë detaje rreth diskutimeve që ka zhvilluar edhe në ditën e fundit në Mynih.
Kryeministri Kurti takoi kongresistët amerikanë, Mike Turner, Michael McCaul, Jake Ellzey, Rich McCormick dhe Darrell Issa.
Ai i njoftoi kongresistët me punën e Qeverisë dhe planet përpara, arritjet më të shënuara në sundimin e ligjit dhe progresin në rrafshin ekonomik.
“Implikimet që ka pasur dhe rreziqet që vazhdon t’i paraqes invazioni dhe agresioni Rus në Ukrainë për kontinentin, në veçanti Ballkanin Perëndimor, dhe miqësia, partneriteti dhe aleanca ndërmjet Kosovës dhe ShBA-ve, ishin temat të cilat i diskutuam bashkë me kongresistët amerikanë, Mike Turner, Michael McCaul, Jake Ellzey, Rich McCormick dhe Darrell Issa.
Kurse me ish-kongresistin amerikan, tash Drejtuesin Ekzekutiv të Komitetit Amerikano-Hebre, Theodore Deutch, folëm për miqësinë e kahmotshme dhe raportin përherë e më të avancuar mes dy popujve tanë dhe tash shtetit të Kosovës dhe shtetit të Izraelit”, ka shkruar në rrjetin social Kurti.
Kurse ai tha se me kryeministren e Lituanisë, Ingrida Simonyte, në takimin e parë bilateral, biseduan për marrëdhëniet dypalëshe dhe për mundësitë e thellimit të tyre, me theks në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
“Për avancimin demokratik të Kosovës në dy vitet e fundit, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Suedisë dhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe Këshillin e Evropës, bisedova me kryeministrin suedez, Ulf Kristersson. Atë e falënderova për përkrahjen ndër vite dhe të pandërprerë të Suedisë ndaj vendit tonë”, tha ai.
Ndërkaq me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, Kurti tha se folën për forumin ekonomik Italian në Kosovë, që do të mbahet këtë vit, dhe për përfitimet që ky forum mund të sjellë në shtimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy vendeve tona.
Në Mynih Kurti u takua edhe me Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin Stuart Munsch.
Ai këtu thekoi se për vitin e dytë radhazi, Kosova do të jetë vend mikpritës dhe pjesëmarrës, kësaj radhe me 1365 ushtarë të FSK-së, në stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga ushtria amerikane.


