Distria Krasniqi në Montpellier të Francës, ka fituar medalje të argjendtë në Kampionatin Evropian të Xhudos.
Medaljen evropiane, Distria e fitoi në kategorinë deri 52 kilogramë, ku ishte bartëse e parë.
Në finale u mposht nga francezja Amandine Buchard, që ishte bartësja e dytë dhe medalistja olimpike, botërore e evropiane.
Finalja ishte e fortë, ndërsa u dominua nga Distria. Ajo kishte iniciativën vazhdimisht dhe kërkoi hedhjen.
Në kohën shtesë, kur Buchard kishte dy dënime, një situatë në dukje e parrezikshme, vendosi fituesen.
Buchard përfitoi nga lufta në dysheme dhe me mbajtje, siguroi fitoren dhe medaljen e artë.
Deri në finale, Distria arriti me tri fitore. Në raundin e dytë e mposhti me dy uazari kroaten Ana Viktorija Puljiz, medaliste nga Evropiani i vitit të kaluar.
Në çerekfinale, Distria ishte më e mirë se xhudistja e Azerbajxhanit, Gultaj Mammadaliyeva.
Azerbejxhanasja pësoi tri dënime dhe kështu Distrisë i takoi fitorja me Ippon.
Ndryshe, Distria tani ka pesë medalje evropiane, ku ndër to një të artë, dy të argjendta dhe dy të bronzta.