Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar ndaj raportimeve të fundit në media, të cilat lidhen me një punim akademik të vitit 2012, duke i cilësuar akuzat si të pavërteta dhe tendencioze.
Përmes një deklarate publike, Basha tha se ka përgjegjësi dhe obligim moral që të sqarojë qytetarët për përmbajtjen e punimit në fjalë.
“Punimi që po qarkullon në media është i vitit 2012, në kohën kur unë kam qenë student. Autorësia ime në këtë artikull i përket vetëm Kapitullit 3, i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën. Këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë,” deklaroi Basha.
Ai shtoi se është vet autorja e punimit, Jana Arsovska, që ka sqaruar për media përfshirjen e tij të kufizuar.
“Tashmë është sqaruar për media edhe vet autorja Jana Arsovska, e cila ka dërguar një email demantues, dhe e ka bërë të qartë që unë kam dorëzuar për publikim vetëm Kapitullin 3 dhe mbaj përgjegjësi vetëm për përmbajtjen në atë kapitull,” u shpreh ai.
Basha theksoi se qëndrimet e tij publike dhe personale kanë qenë gjithmonë në përputhje me vlerat e luftës për liri të popullit të Kosovës.
“Unë, Dimal Basha, e çmoj lart luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit tonë për liri. Nga goja ime dhe nga duart e mia nuk është shkruar dhe nuk do të mund të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë,” tha ai.
Në fund, kryetari i Kuvendit kërkoi falje për shqetësimin e shkaktuar tek qytetarët dhe u bëri thirrje mediave për raportim të drejtë dhe të saktë.
“U kërkoj falje qytetarëve që janë shqetësuar nga ky raportim i rremë, dhe prandaj lus mediat që të raportojnë drejt dhe saktë, e në veçanti për tema kaq të ndjeshme, që nuk lidhen vetëm me mua personalisht, por me tërë popullin e Republikës së Kosovës,” përfundoi Basha.


