Zjarri ka shkatërruar tërësisht një depo biznesi në Sllatinë të Fushë Kosovës, në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar. Shkaqet nuk janë bërë të ditura, por Polica ka konfirmuar se hetuesit policorë në koordinim me institucionet përkatëse po kryejnë hetimet rreth rastit, i cili është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Një objekt biznesi me automjete të quajtura Go-karting është përfshirë nga zjarri.
20 automjete, si dhe pajisje të tjera janë djegur tërësisht, ka thënë për RTK-në, pronari i një biznesi privat, Nexhmedin Geci. Ai përmes telefonit ka bërë të ditur se përveç dëmeve materiale që kapin vlerën mbi 200 mijë euro, fatmirësisht nuk ka asnjë persona të lënduar rëndë.
Nga Policia e Kosovës kanë njoftuar se një person është lënduar, 20 vetura të parkuara dhe një objekt biznesi janë përfshirë nga zjarri, në afërsi të Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”.
Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti tha se pas lokalizimit të zjarrit, hetuesit policorë në koordinim me institucionet përkatëse po kryejnë hetimet rreth rastit, i cili është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Ndërkaq nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” kanë thënë se zjarri nuk ka përfshirë e as rrezikuar zonën e aeroportit.
Një zjarr është vërejtur gjatë ditës edhe në Kodrën e Goleshit, por deri tani ende nuk është konfirmuar nëse kanë intervenuar ekipet e zjarrfikësve.


