Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, janë aprovuar 9 raste për transplantim të organeve dhe kostoja financiare e këtyre rasteve është 125 mijë e 930 euro. Ndërsa, kërkesat më të shpeshta të pacientëve lidhur me transplantimin janë veshkat, kështu ka bërë të ditur Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (FSSh).
Numri i pacientëve të cilët po preken sëmudjet e veshkave dhe po i nënshtrohen procesit të dializës është mjaft i madh. Ibrahim Rudhani, nefrolog në QKUK ka thënë se në regjistrat e Shërbimit Klinik dhe Spitalor të Kosovës figurojnë rreth 845 pacientë nga e gjithë Kosova të cilët po i nënshtrohen procesit të dializës.
“Afërsisht mbi 845 pacientë i nënshtrohen dializës si terapi zëvendesuese reale në tërë Kosovën”, ka thënë Rudhani duke theksuar se mesatarisht nga dy pacientë në muaj ndjekin procedurat për transplantim të veshkave.
Nefrologu, Ibrahim Rudhani ka thënë se dhuruesit më të zakonshëm janë familjarët, gruaja – burrit, burri – gruas pastaj motra vëllait etj.
Rudhani ka bërë të ditur se janë rreth 124 pacientë me veshkë të transplantuar.
“Pasi të realizohet transplanti këta pacientë përcillen nga Nefrologët e QKUK-së, me përcaktim të nivelit të barit që marrin për mbajtje të organit të transplantuar. Pacientët që marrin terapi te ne, terapi e cila duhet të merret gjatë tërë jetës me doza të caktuara me mjekun odinar që e përcjellë të pastrasplatuarin”, ka thënë ai.
Transplantimet e organeve nuk mund të bëhen në Kosovë për shkak të mungesës së ligjit. Andaj, pacientët që kanë nevojë për transplantime, duhet të udhëtojnë jashtë vendit. Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (FSSh) në një përgjigje ka thënë se pacientët po e zgjedhin më shumë Turqinë
“Sipas UA Nr. 03/2017, pala/pacienti ka të drejtë të zgjedh institucion ku dëshiron ta marrë trajtimin shëndetësor, sipas përzgjedhjes në formular gjatë aplikimit. Në përzgjedhjen nga pacientet dominojnë Republika e Turqisë, Maqedonia Veriore, Shqipëria etj”, ka thënë FSSh.
Ministria e Shëndetësisë po ashtu ka thënë se po planifikon që ta fus në programin legjislativ “sa më parë që ka mundësi”, por nuk ka dhënë ndonjë datë të caktuar.
“Në Kosovë ka Ligj për transplantim të indeve dhe qelizave, ndërsa sa i përket Ligjit për transplantim të orgnave, Ministria planifikon që ketë ta fus në programin e saj legjislativ sa më parë që ka mundësi, me qëllim që të punohet njëkohesisht në hartimin e ligjit dhe ngritjen e kapaciteteve spitalore, që një shërbim i tillë të mund të kryhet praktikisht edhe në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
E për tu krijuar kapacitetet spitalore për transplantim të organeve, Nefrologu, Ibrahim Rudhani për ka thënë se koha për krijimin e një ekipe për realizimin e transplantit të veshkës është relative.
“Koha per krijimin e ekipës për realizimin e trasplantit të veshkës është relative, ne nefrologet i dërgojmë për trasplant, duhet të ketë tipizues të indeve që përcakton përshtatshmërin e indeve (imunolog dhe trasfuziolog) besoj që kirurgeve nuk iu nevojitet kohë e gjatë trajnim njëvjeçar. Koha është të krijohet ekipa për trajnim për transplantimin e ardheshëm”, ka thënë Rudhani.


