Me mbështetjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), dhjetë kompani nga Kosova për herë të parë po marrin pjesë në panairin ndërkombëtar nga industria e drurit “Stockholm Furniture Fair” që po mbahet në Stockholm të Suedisë.
Në këtë panair i cili është hapur me datën 06 shkurt 2024, MINT/KIESA në bashkëpunim me Shoqatën e Përpunuesve të Drurit në Kosovë (SHPDK) dhe projektit Fostering Employment and Growth Opportunities (FEGO), kanë siguruar për kompanitë nga Kosova hapësirën ekspozuese prej 290 m2.
Kompanitë pjesëmarrëse nga Kosova: “Elnor”, “Promobi LLC”, “LineGroup”, “Vatër 1954”, “Nero”, “Orendi”, “CiaoBerto”, “Hoti Exclusive”, “All Ëoodgroup” dhe “Ahikos” janë duke i promovuar prodhimet dhe produktet e tyre nga industria e drurit, me qëllim të krijimit të bashkëpunimit, dhe rritjes së eksportit.
Në panair po merr pjesë edhe zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mentor Arifaj dhe U.d. Drejtori i Përgjithshëm i KIESA-s, Zef Dedaj të cilët pritën në takim në shtandin e Kosovës Hakan Jevrell, sekretar shteti i Suedisë, ku diskutuan mbi identifikimin e aktiviteteve të përbashkëta me qëllim të rrijtes së investimeve dhe shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve.
“Shtandi ku janë duke prezantuar kompanitë nga Kosova është vizituar dhe shoqëruar me takime edhe nga z. Jonas Ëesterlund, ambasador i Suedisë në Kosovë, si dhe znj. Shkendije Geci Sherifi, ambasadore e Kosovës në Suedi. Krahas kompanive edhe përfaqësuesit nga MINT/KIESA-s po zhvillojnë takime me pjesëmarrës në këtë panair si dhe po shpërndahen edhe materiale promovuese të KIESA-s rreth sektorëve potencial dhe mundësive për investime në Kosovë”, thuhet në një njoftim të MINT.
Tutje bëhet e ditur se prodhimet e dhjetë kompanive kosovare nga industria e drurit në panairin “Stockholm Furniture Fair” jenë të ekspozuara në shtandin C07:42, C07:43.
Panairi është i hapur deri me 10 shkurt 2024.


