Transferimi i Mirlind Dakut nga Rubin Kazani te Zenit St. Petersburg ka dështuar, pavarësisht interesimit konkret të klubit nga veriu i Rusisë dhe marrëveshjes paraprake me klubin e lojtarit. Arsyeja? Mosmarrëveshjet për kushtet personale me vetë sulmuesin, por edhe diçka tjetër në prapavijë.
Zeniti kishte shfaqur interesim të madh për Dakun dhe kishte arritur një marrëveshje me Rubinin, por jo edhe me përfaqësuesit e lojtarit. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë klubi i Rubin Kazanit, i cili ka njoftuar se sulmuesi shqiptar do t’u bashkohet përgatitjeve për sezonin e ri.
“Në përgjithësi, negociatat nuk janë çështje e lehtë. Negociatat mes klubeve janë një gjë, ndërsa me lojtarin dhe përfaqësuesit e tij janë çështje tjetër. Në këtë rast, nuk ishte e mundur të arrijmë marrëveshje për kushtet personale. Dhe ato përfshijnë jo vetëm aspekte financiare”, ka deklaruar Alexander Medvedev, udhëheqësi i bordit të drejtorëve të Zenitit, për mediumin rus Sport-Express.

Sipas mediave ruse, Zeniti ishte i gatshëm të paguante rreth 8.5 milionë euro për kartonin e Dakut, por transferimi nuk u finalizua. Lojtari ishte në Shën Petersburg, por tashmë pritet të rikthehet në Kazan dhe të jetë pjesë e fazës përgatitore të skuadrës.
Një arsye tjetër që besohet se ndikoi në mosrealizimin e këtij transferimi është edhe veprimi i Dakut gjatë “Euro 2024”, ku pas një ndeshjeje me Shqipërinë, ai u përfshi në një incident verbal kundër serbëve dhe maqedonasve.
UEFA e dënoi sulmuesin për atë sjellje, dhe në Rusi, sidomos në klubet me lidhje të forta me Serbinë, kjo nuk u prit mirë.
Mediumi rus Business-Gazeta ka analizuar ndikimin që mund të ketë pasur Gazprom, kompania gjigante e gazit dhe një nga sponsorët kryesorë të Zenitit dhe Cërvena Zvezdës së Beogradit.

Sipas raportimeve, shefi ekzekutiv i Gazpromit, Alexey Miller, kishte bllokuar transferimin e Dakut që një vit më parë për shkak të asaj thirrjeje të lojtarit shqiptar. Marrëdhëniet e ngushta të Zenitit me klubin serb, ku luajnë shpesh ndeshje miqësore dhe kanë bashkëpunim zyrtar, mund të kenë qenë një faktor vendimtar.
Ndërkohë, në kampin e Rubin Kazanit duket se kanë mirëpritur qëndrimin e Dakut në ekip, ku dy bashkëlojtarë të tij thonë se nëse ai qëndron do të ishte e shkëlqyer.
“Është plus i madh për Rubinin nëse Daku qëndron. Do të jetë absolutisht fantastike. Të gjithë kemi përcjellë lajmet dhe kemi reaguar shumë pozitivisht pasi Daku është lider. Ne duam të mbajmë një lojtar si ai dhe të luftojmë për pozita më të mira”, ka thënë mesfushori Ruslan Berzukov.
“Do të jemi të lumtur për Dakun në secilin skenar. Ai ka synimet personale. Por do të jemi më të lumtur nëse ai qëndron me ne,” ka shtuar mbrojtësi Alexey Gritsenko.

Daku, i cili është nën kontratë me Rubin Kazanin deri në verën e vitit 2025, mbetet një nga sulmuesit më të dalluar në futbollin rus dhe është një nga lojtarët kyç të Kombëtares së Shqipërisë.