Ka dështuar mbledhja e Komisioni për Integrime Evropiane, për shkak se zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, nuk ka shkruar të raportoi në këtë komision për zhvillimet e fundit në dialog.
Para se të fillojë mbledhja e këtij komisioni, deputetja e PDK-se, Blerta Deliu, ka vendosur në mur fotografi të zëvendëskryeministrit Bislimi nga seanca e kaluar, ku shihet duke gjuajtur me ujë në drejtim të deputetëve opozitar.
Kryesuesja e këtij komisioni, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka konfirmuar një ditë më herët pjesëmarrjen e tij në komision, por se sot nuk ka shkuar për të raportuar.
“Sot e pamë që kjo ka qenë e qëllimshme pasi nuk ishin prezentë as deputetët e pozitës. Qëllimi i takimit ka qenë që Bislimi të tregojë në lidhje me sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, sepse ne si komision ende nuk e kemi listën e projekteve për IPA dhe në bazë të rregullores zëvendëskryeministri do duhej ta sillte listën e projekteve. Po shihet serioziteti i kësaj Qeverie. Ai do të duhej të vinte të na tregonte për takimin në Bratislavë, një takim që do duhej të ndodhte në Bruksel dhe jo atje”, ka thënë ajo.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila është anëtare në këtë komision, ka thënë se Qeveria po i ik opozitës.
“Njeriu i dytë i kësaj Qeverie që sot është dashur të jetë në Kuvend, prej marrëzisë së skandaleve të njëpasnjëshme që i kemi parë edhe në seancën e fundit, sot nuk ishte për të raportuar sepse e gjithë që ka bërë kjo qeveri janë skandalet e panumërta, sanksionet dhe izolimi i vendit”, ka thënë Deliu-Kodra.
KUjtojmë se debati parlamentar ishte përshkallëzuar në konfrontim fizik mes pozitës dhe opozitës, respektivisht me ata të PDK-së në seancën e 13 korrikut të Kuvendit të Kosovës.
Në pamje shihet se përveç gjuajtjes me ujë, disa deputetë opozitarë kanë dhënë edhe grushte për kolegët e tyre.
