Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shpërndarë një komunikatë të përbashkët me Partinë Guxo dhe Partinë Alternativa, duke sqaruar situatën lidhur me koalicionin e tyre për zgjedhjet e ardhshme.
Në njoftimin e dërguar sot, partitë njoftojnë se koalicioni i dëshiruar nuk ka mundur të procedohet formalisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për shkak të afateve të shkurtër ligjor dhe pamundësisë për të përmbushur disa detyrime statutore.
“Duke u bazuar në partneritetin e mirë dhe të shëndoshë në mes partnerëve të koalicionit, Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Partisë Guxo dhe Partisë Alternativa, njoftojmë opinionin e gjerë, anëtarësinë tonë, mbështetësit tanë se koalicioni ynë formal i dëshiruar nga të tri partitë tona, nuk ka mundur të procedohet sot formalisht në KQZ, për shkak të afatit të shkurtër ligjor dhe pamundësisë së përmbushjes së disa detyrimeve statutare”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, sot është mbyllur afati për paraqitjen e koalicioneve për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.