Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Jeta Statovci ka thënë se deklarata e presidentit serb, Aleksandër Viçiq është fat i keq jo vetëm për Kosovë si shtet fqinj, por edhe për tërë kontinentin evropian.
Duke komentuar deklaratën e Vuçiqit se fëmijët serbë të moshës 12 dhe 13 vjeçare në Kosovë janë të gatshëm të vdesin ‘sepse janë ngopur me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti’, Statovci tha se kjo tregon që shërbëtori i Millodheviqit e ka humbur rrugën.
“Një President si Vuçiq, që bën nxitje për luftë e vdekje edhe për fëmijët 12-13 vjeç, është fat i keq jo vetëm i Kosovës si shtet fqinj, por edhe për tërë kontinentin evropian. Kjo shpjegon përse ky shërbëtor i kriminelit Millosheviq, shërbeu si Ministër i Propagandës në kohën e luftës në Kosovë, ku nuk u kursyen për vdekje as fëmijët nën 5 vjeç. Kjo shpjegon edhe faktin sa shumë e ka humbur rrugën e tij, duke ushtruar dhunë në Kosovë, duke sfiduar NATO-n siç bëri dikur shefi tij, duke arrestuar policinë e shteteve fqinje dhe duke mos nënshkruar marrëveshjet për paqe”, ka thënë në reagimin e saj deputetja Statovci.
Sipas saj, një kriminel merr hov në kohë krimesh dhe se koha e krimeve në Ukrainë po motivon Presidentin Vuçiq.
“Në Kosovë, serbët janë më të lirë se në Serbi, e kjo po i pengon Vuçiqit, sepse Kosova është demokraci, e demokracia është tmerri i çdo të çmenduri që i do edhe fëmijët në luftë”, ka shkruar Statovci në rrjetin social.


