Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni ka ftuar të gjithë deputetët që të bëhen bashkë kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në fjalën e saj në Kuvend ajo ka thënë se mosthemelimin e Asociacionit ia kanë borxh atyre që janë flijuar për vendin.
“Jo më kot insistimi më i madh i Serbisë vazhdon të mbetet themelimi i Asociacionit. Në anën tjetër insistimi më i madh i yni si mazhorancë në Kuvend dhe Qeveri vazhdon të mbetet mosthemelimi i tij. Ky sot do të duhej të ishte insistim i të gjithëve pa dallim, këmbëngulje e jona e përbashkët, synim i yni i përbashkët. Këtë ia kemi borxh atyre që u flijuan duke dhënë jetën për këtë tokë dhe liri që po e gëzojmë ne. Sot më shumë se kurrë, jo vetëm Kosova por në veçanti Kosova kërkon unitet dhe qëndrueshmëri”, ka thënë Kryeziu-Hyseni.
Teksa ka shtuar se pozicionimi i të gjithë deputetëve kundër themelimit të Asociacionit i jep forcë kundërshtimit të VV-së për të mos e themeluar atë.
“…Pas 15 vjetësh ata e duan edhe Zajednicën që në emër të këtij 4 % po e kërkon Vuçiqi nga Beogradi, që me një përqindje edhe më të vogël të njerëzve të tij, të shtrijë ndikimin e tij në Kosovë. Merreni me mend çfarë do të ndodhte në këtë vend me Zajednicën. Por, kjo nuk do të ndodhë. Ne nuk duhet ta lejojmë bosnjëzimin e Kosovës. Prandaj ta themi hapur dhe me zë të lartë se gabimet e së kaluarës nuk do të përsëriten. Pozicionimi i secilit sot kundër Zajednicës i jep forcë kundërshtimit tonë për të mos e pranuar atë. Të bëhemi bashkë dhe të themi njëzëri ‘Zajednica nuk kalon’”, ka deklaruar ajo.
Reagimi i plotë:
Nesër, më 24 shkurt, bëhet 1 vit prej kur nga një konflikt i paprovokuar, Rusia nisi luftën në Ukrainë, duke cenuar kështu sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë kontinentit evropian. Kjo luftë që nisi në formën e pushtimit me pretendime territoriale, provokoi jo pak gjeopolitkën evropiane dhe atë botërore.
Shumë ukrainas kanë humbur jetën e shumë prej tyre kanë mbetur pa kulm mbi kokë, si pasojë e sulmeve të vazhdueshme që kanë rrënuar dhe shkatërruar qytete të tëra. Pavarësisht sulmeve, pavarësisht dëmeve dhe humbjeve në jetë njerëzish, ukrainasit vendosën ti dilnin zot vendit të tyre, duke mos u mposhtur e as dorëzuar as tash e një vit pas.
Kjo luftë, lëkundi tej mase themelin mbi të cilin ishte ndërtuar vet Bashkimi Evropian. Paqja. Kjo luftë I bëri shumë shtete të reflektojnë dhe ti zgjasnin dorën Ukrainës, në një kohë kur bota, ndër tjerash po përballej edhe me krizën energjetike dhe atë të inflacionit, pikërisht si pasojë e kësaj luftë.
Një ditë pasi që lufta nisi, Kosova e bashkërenduar me politikën e jashtme të BE-së dhe SHBA-së, vendosi sanksione mbi Rusinë. Njejtë vepruan shumë shtete të tjera demokratike, që janë në kërkim të paqes dhe stabilitetit. Por të njejtën nuk e bëri Serbia. Përkundrazi, ajo u rreshtua përkrahë Putinit të Rusisë, si urë lidhëse për të bartur konfliktin dhe rrezikun e destabilizimit edhe në Ballkan.
Serbia, e cila asnjëherë nuk I ka shuar pretendimet e saj territoriale ndaj Kosovës, e frymëzuar dhe e ndikuar nga Putini, disa herë është përpjekur të cenojë sigurinë, integritetin dhe sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës përgjatë këtij një viti.
Insistimi I Serbisë në themelimin e Asociacionittë Komunave me Shumicë Serbe, bllokimi I procesit negociator dhe mos pranimi për të dialoguar mbi planin franko-gjerman, shpërfaqë hapur dëshirën e tyre për destabilizim dhe denormalizim të situatës në Kosovë. Dhe jo gatishmërinë e tyre për normalizim të raporteve që qon drejt arritjes së një marrëveshje përfundimtare.
Përpos destruktivitetit të brendshëm, Serbia ka vazhduar me fushata të egra ndaj Kosovës, edhe nëpërmjet ambasadorëve të saj jashtë. Nxitëse dhe urryese u konsiderua deklarata shoveniste e dhënë së fundi nga ambasadori serb në SHBA Marko Gjuriq, për atë që ai e quante “Bota Serbe”, duke mos I fshehur pretendimet territorial ndaj Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi. I njejti që dikur kishte mohuar masakrën e Recakut, të cilën e njohu bota për gjenocidin që kriminelët serb ushtruan mbi popullin shqiptar, kërcënon Ballkanin Perëndimor nëpërmjet një deklarate fashiste për krijimin e Mbretërisë Jugosllave.
Të nderuar kolegë deputetë,
Jo më kot, insistimi më I madh I Serbisë vazhdon të mbetet themelimi I Asociacionit. Në anën tjetër, insistimi më I madh I yni si Qeveri dhe mazhorancë në Kuvend, vazhdon të mbetet mos-themelimi i Asociacionit.
Ky do të duhej të ishte sot insistim I secilit nga ne, pa dallim. Këmbëngulje e jona e përbashkët. Synim I yni I përbashkët.
Këtë ia kemi borgj atyre që u flijuan duke dhënë jetën për këtë tokë e për këtë liri që po e gëzojmë ne sot.
Sot më shumë se kurrë, jo vetëm Kosova, por në vecanti Kosova, kërkon unitet dhe qëndrueshmëri. Pak ditë më parë festuam 15 vjetorin e pavarësisë së shtetit tonë. Të një shteti që 15 vjet më parë, u themelua pikërisht mbi bazën e multi-etnicitetit. Të një shteti që I dha aq shumë përparësi një komunitete që përbëhet nga vetëm 4% e popullatës tonë të përgjithshme. Pa Zajednicën.
Pas 15 vjetësh e duan edhe Zajednicën. Të cilën në emër të këtij 4% po e kërkon Vucici nga Beogradi, që me një përqindje edhe më të vogël të njerëzve të tij të shtrijë ndikimin e tij në Kosovë. Merreni me mend cfarë do të ndodhte në këtë vend me Zajednicën.
Por kjo nuk do të ndodhë. Ne nuk duhet ta lejojmë bosnjëzimin e Kosovës. Prandaj ta themi hapur dhe me zë të lartë, që gabimet e së kaluarës nuk do të përsëriten. Pozicionimi I secilit sot kundër Zajednicës, I jep forcë kundërshtimit tonë për të mos e pranuar atë.
Të bëhemi bashkë dhe ta themi një zëri që ZAJEDNICA NUK KALON.


