Kuvendi i Kosovës me seancë të jashtëzakonshme po trajton rezolutën për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore. Propozimin e trajtimit të kësaj çështje e ka dhënë AAK.
Bekim Haxhiu nga PDK ka pasur kritika për menaxhimin e sistemit shëndetësor ndër vite.
“Mjekimi instensiv qendror është inauguruar në vitin 2019 me 32 shtretër dhe aparatura komplete për kujdes ndaj pacientëve. Sot ka 21 shtretër, reduktim i kapaciteteve që dërgon në përfitim të klinikave private sepse një natë për kujdes instensiv në klinika private është një mijë euro”, ka thënë ai.
Ai ka përmendur edhe largimin e 22 specializantëve të anesteziologjisë nga sektori publik, nga 64 sa ishin në vitin 2020. Largimin e tyre, Haxhiu e ka ndërlidhur me trajtim jo të duhur.