Pas daljes së deputetëve të opozitës nga seanca, pushteti ka miratuar disa pika.
Me shumicën e votave të deputetëve është miratuar në lexim të dytë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive.
Gjithashtu është miratuar edhe Ligji për Prokurorin e Shtetit.
Janë miratuar edhe rekomandimet lidhur me Raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi për Menaxhimin e Pagave” dhe rekomandimet lidhur me Raportin e auditimit: “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga Donatorët për vitin 2021.
Ndërkaq marrëveshjet ndërkombëtare janë shtyrë.
Me mungesën e votës së Bashës, në sallën e Kuvendit kanë mbetur vetëm 60 deputetë duke e pamundësuar kuorumin.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mjekësinë Ligjore.
Po ashtu, mazhoranca e ka votuar raportin vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2021.
Në këtë seancë të re të Kuvendit, 60 deputetët e pozitës të pranishëm në sallë kanë votuar edhe raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2021.
Me 3 abstenime dhe 58 vota pro Kuvendi ka miratuar edhe Rekomandimet lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Mazhoranca ka votuar pro edhe rekomandimeve për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Komunikimet Elektronike.
Deputeti i LVV-së, Dimal Basha ka thënë se nuk merr pjesë në votimin e Projektligjit për ndërtime pa leje.
“Unë nuk marr pjesë në votimin e këtij ligji, amandamentimi ka qenë i gabuar. Ka mangësi ky ligj. Në grupin punues unë kam propozuar që të fillojmë një ligj që i rregullon ndërtimet pa leje, duke kërkuar që të ndalohen ndërtimet pa leje që po zhvillohen, por nuk është marrë parasysh ky propozim dhe ka përfunduar vetëm me zgjatjes. Afatit që nuk zgjidhë asnjë problem. E kam thënë më herët ky ligj në këtë formë më shumë sjellë probleme sesa zgjidhje. Unë nuk mund ta ngre dorën për një ligj pa një analizë. Unë mendoj që si deputetë duhet të bëjmë një zgjidhje të përhershme për ndërtimet pa leje”, ka thënë ai.
Shefja e GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se kërkojnë seancë të re të jashtëzakonshme për ditën e sotme për orën 13:00 për shqyrtimin e pikave të papërfunduara.