Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, pas takimit të sotëm, kanë mbajtur konferencë për media.
Kryediplomatja e Kosovës, Gërvalla, e ka falënderuar homologun grek për vizitën dhe e ka njoftuar atë për zhvillimet në Kosovë, për aplikimin në BE dhe zhvillimet e fundit në vend.
Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, tha se vizita në rajon dhe Kosovë tregon se ky rajon është me rëndësi për Greqinë.
“Bashkimi Evropian është destinacioni i fundit për gjithë Ballkanin Perëndimor. Greqia është e gatshme të ndihmojë Ballkanin Perëndimor në fushën energjisë, sa i përket juve nga largimi prej varësisë së thëngjillit. Ne mbështesim marrëveshje ligjërisht të obligueshme”, tha Dendias.
Kryediplomati grek tha se nuk duhet të lejohen palët e treta që ta shfrytëzojnë rastin për destabilizim.
Duke folur për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, Dendias tha se është e rëndësishme që nga të dyja palët të zbatohet ajo që është arritur deri tash.
“Ne e mbështesim plotësisht dialogun Prishtinë-Beograd dhe marrëveshjet ligjërisht të obligueshme. Është e rëndësishme që nga të dyja palët të zbatohet ajo që është arritur”, ka thënë ai mes tjerash ai.



