Në kuadër të një vizite miqësore, një delegacion i veçantë nga Italia qëndroi sot në Gjakovë për të shënuar 25-vjetorin e ndërtimit të Aeroportit të Gjakovës, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore pas luftës në Kosovë.
Delegacioni i përbërë nga ish-komandanti i KFOR-it Italian në Kosovë, z. Salvatore Raimondo, dhe gjeneralët Francesco Noto e Carmelo Giardina, vizituan qytetin për të rikthyer kujtimet nga periudha kur u realizua ky projekt madhor.
Raimondo ka qenë një nga figurat kyçe në udhëheqjen e punimeve për ndërtimin e aeroportit, i cili për vite me radhë ka shërbyer si nyje e rëndësishme logjistike dhe simbol i bashkëpunimit ndërkombëtar.
Gjatë qëndrimit të tyre në Gjakovë, delegacioni u prit nga kryetari i komunës së Gjakoës, Ardian Gjini me bashkëpunëtorë, ku gjatë kësaj vizite ata u informuan për zhvillimet e fundit në qytet dhe projektet që po realizohen.
Gjatë një ecjeje në qendër të qytetit, mysafirët vlerësuan lart transformimet pozitive që ka përjetuar Gjakova ndër vite.
Vizita u mbyll në një ambient miqësor ku delegacionit italian iu bashkua edhe ish-kryetari i Komunës së Gjakovës, z. Mazllom Kumnova, duke e bërë takimin një moment përkujtimor dhe bashkimi për kontributin e dhënë në ndërtimin e qytetit të Gjakovës pasluftës.